Tetovë, Kasami: Pritëm ambasadoren e Suedisë për të thelluar bashkëpunimin në nivel lokal

Sot, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, priti në takim Ambasadoren e Suedisë në Shkup, znj. Ami Larson Jein, dhe Zëvendësambasadoren, Elisabet Dalberg Frisk, ku diskutuan për temat e rëndësishme në nivel lokal dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Tetovës dhe ambasadës suedeze.
Në takim, u theksua interesimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit midis organizatave lokale dhe shoqatave, duke krijuar mundësi për realizimin e projekteve që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e qytetit. Po ashtu, u diskutua për aktualitetin politik, reformat dhe forcimin e sundimit të ligjit në nivel lokal.
Kryetari Kasami theksoi se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm dhe se të dy palët janë të angazhuara për të realizuar projekte konkrete në të ardhmen. Ai shprehu angazhimin e Komunës së Tetovës për të punuar ngushtë me ambasadën suedeze dhe për të forcuar partneritetin në interes të qytetarëve.