Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi – mbyllet faza e provave të Prokurorisë në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë do ta përmbyllë sot zyrtarisht paraqitjen e provave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Nga Prokuroria është bërë e ditur se përmbajtja e provave do të bëhet publike pas datës së sotme, duke mos dhënë detaje në këtë fazë. “ZPS ka planifikuar të përfundojë çështjen më 15 prill, siç ishte paralajmëruar. Pas përfundimit do të japim një deklaratë me më shumë detaje,” thuhet në përgjigjen për RTK-në.
Përfaqësues të organizatave monitoruese kanë kritikuar procesin për mungesë transparence dhe kanë kërkuar që trupi gjykues të mos marrë për bazë prova që mund të vijnë nga Serbia, duke ngritur shqetësime mbi besueshmërinë dhe qëllimin e tyre.
Pas mbylljes së fazës së Prokurorisë, mbrojtja e të akuzuarve ka të drejtë të paraqesë mocione për rrëzimin e aktakuzës ose të ndonjë pjese të saj. RTK ka kërkuar komente edhe nga mbrojtja e katër të akuzuarve, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.
Megjithatë, avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka deklaruar më herët se mbrojtja planifikon të thërrasë rreth 10 dëshmitarë, pa zbuluar identitetin apo temat që ata do të trajtojnë.
Në ndërkohë, Gjykata ka vendosur që masa e paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin të zgjatet edhe për dy muaj të tjerë. Seanca e radhës për ecurinë e procesit është caktuar të mbahet më 23 prill.