Tiranë, Kallas viziton Ballkanin Perëndimor për herë të parë si shefe e diplomacisë së BE-së

Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill po zhvillon vizitën e saj të parë në Ballkanin Perëndimor si shefe e diplomacisë evropiane.
Në agjendën e saj përfshihen ndalesa në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.
Vizita ka nisur në Mal të Zi, ku Kallas është takuar me presidentin Jakov Millatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Ky vend vlerësohet si më i avancuari në rajon në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Më 8 prill, Kallas viziton Shqipërinë, ku do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama — me të cilin do të mbajë një konferencë të përbashkët për media — si dhe me ministrin për Evropë dhe Çështje Evropiane, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Ajo do të marrë pjesë në takimin e parë të Dialogut për Siguri dhe Mbrojtje BE-Shqipëri, si dhe në ceremoninë e nënshkrimit të një granti nga Banka Evropiane për Investime dhe marrëveshjeve të huas për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë.
Vizita do të përmbyllet në Bosnje e Hercegovinë, ku Kallas do të takojë krerët e Presidencës trepalëshe, kryetaren e Këshillit të Ministrave, ministrin e Jashtëm dhe përfaqësues të misionit EUFOR.
Gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin në post, Kallas kishte premtuar se do të angazhohet për ta bërë realitet zgjerimin e BE-së.
Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor — përveç Kosovës — si dhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia janë aktualisht vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova ka aplikuar për anëtarësim, por ende nuk ka marrë statusin zyrtar të vendit kandidat.