Tiranë, prezantohen projektet finaliste për rilindjen e stadiumit “Selman Stërmasi”

Në Tiranë po zhvillohet sot faza finale e garës ndërkombëtare për projektide arkitekturore për rikonstruksionin e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku pesë skuadra finaliste prezantojnë përpara jurisë konceptet e tyre për një stadium modern sipas standardeve të UEFA-s, kategoria IV. Projekti synon ta shndërrojë këtë zonë në një qendër të re urbane në kryeqytet.
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, kryeministri Edi Rama theksoi se kjo nismë është pjesë e një serie zhvillimesh të rëndësishme të promovuara nga Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC).
“Pas Durrësit, Vlorës dhe Korçës, ku tashmë janë përzgjedhur fituesit dhe janë shpallur garat për zhvilluesit, është radha e Tiranës të ketë një qendër të re urbane përmes stadiumit ‘Selman Stërmasi’”, u shpreh Rama.
Ai e cilësoi projektin si një tjetër bërthamë për zhvillimin urban të kryeqytetit dhe nënvizoi se objektivi nuk është vetëm ndërtimi i një stadiumi të ri, por krijimi i një hapësire të integruar me funksione të shumta për komunitetin.
Gara ndërkombëtare përfshin arkitektë dhe studio prestigjioze nga vende të ndryshme dhe pritet që fituesi të shpallet pas vlerësimit të projekteve nga një juri profesionale.