Tiranë, Rama: Shqipëria hap sot kapitullin e tretë të negociatave me BE

Shqipëria shënon një tjetër hap drejt integrimit europian. Sot, më 14 prill, në Luksemburg do të mbahet tryeza e radhës mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku pritet të hapet zyrtarisht grupkapitulli për “Tregun e Brendshëm”, i treti me radhë në procesin e negociatave.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, ku ndau edhe një video nga takimi i djeshëm me emigrantët shqiptarë në Milano.
“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e madhe, e falenderimin e përulur, për mikpritjen e djeshme të shqiptarëve të Italisë në Milano, si edhe me lajmin e bukur të hapjes sot të një tjetër grupi kapitujsh të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.
Grupkapitulli për “Tregun e Brendshëm” përfshin fusha kyçe si lëvizja e lirë e mallrave, punëtorëve dhe kapitalit, shërbimet financiare, pronësia intelektuale, mbrojtja e konsumatorëve dhe konkurrenca e drejtë, duke afruar më tej Shqipërinë me standardet e BE-së në ekonominë e tregut të lirë.
Ky zhvillim vjen pas dy hapjeve të mëparshme të klasterëve në tetor dhe dhjetor të vitit 2024: kapitulli themelor për shtetin e së drejtës dhe marrëdhëniet me jashtë. Me këtë hap të ri, Shqipëria arrin në tre nga gjithsej gjashtë grupkapituj që përbëjnë procesin e negociatave për anëtarësim.
Pas kësaj konference të katërt ndërqeveritare, vendi është në pritje të hapjes së klasterit të radhës, ai për konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse, që do ta çonte numrin e kapitujve të hapur në katër