Tiranë, Shqipëria nis prodhimin e mjeteve të blinduara me kërkesa nga Europa

Pas prototipit të parë të mjetit të blinduar ushtarak “Shota”, i prodhuar vitin e kaluar, Shqipëria gjatë këtij viti do të prodhojë edhe mjete të tjera të blinduara, të cilat do t’u shërbejnë forcave të armatosura të vendit, por edhe për eksport.
“Ne bashkëpunojmë me kompani të huaja dhe këtë vit besojmë se do të prodhojmë disa automjete ‘Shota’. Nuk do të jetë vetëm një prototip, por një automjet që funksionon në terren,” deklaroi për A2 Arjeta Puca, pronare e kompanisë “TIMAK”.
Sipas saj, paqja në botë është e brishtë, prandaj edhe vende të tjera janë të interesuara për pajisje ushtarake që do të prodhohen në Shqipëri.
“Duam të fillojmë me Shqipërinë, por kemi shumë kërkesa nga Gjermania, Polonia, Ukraina, madje edhe nga Greqia, me të cilat jemi në bisedime dhe besojmë se këtë vit do të kemi produktet e para. Sigurisht, nuk jemi një kompani shumë e madhe, por me rritje dhe me më shumë likuiditet mund të prodhojmë edhe më shumë. Platforma është blerë. Ashtu veprojnë edhe kompani të tjera. Pjesa tjetër nuk është shumë e vështirë,” tha Puca.
Televizioni A2 thekson se në një kohë kur retorika ushtarake po rritet, Shqipëria planifikon të shpenzojë 122 miliardë lekë për modernizim dhe 61 miliardë lekë për infrastrukturë ushtarake deri në vitin 2033. Një pjesë e këtyre fondeve pritet të shkojë për mbështetjen e ndërmarrjeve private që do të prodhojnë pajisje ushtarake.
“Si pjesë e marrëveshjes 10-vjeçare për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbështetje afatgjatë mes Kievit dhe Tiranës, e nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Volodymyr Zelensky në Davos të Zvicrës në janar, disa mjete të blinduara do të shkojnë në Ukrainë,” raporton A2.
Prototipi i parë i mjetit të blinduar ushtarak “Shota” u prezantua në panairin ndërkombëtar EUROSATORY që u mbajt në Paris, në mesin e qershorit të vitit të kaluar.
Automjeti është i pajisur me teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportimin e ushtarëve, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë.
Ai është dizajnuar nga dizajneri shqiptar Grigor Andoni dhe është prodhuar për rreth tre muaj. Kompania “TIMAK”, në të cilën 75% e të punësuarve janë gra, eksporton automjete sanitare në 20 vende të botës.