Tiranë, SPAK çon për gjykim Mark Gilajn për kultivim kanabisi dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë çështjen penale nr. 26 të vitit 2025, në ngarkim të Mark Gilajt. Ky i fundit akuzohet për disa vepra penale të kryera në formën e një grupi të strukturuar kriminal, përfshirë kultivimin e bimëve narkotike, drejtimin e një grupi kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Hetimet kanë provuar se më 25 korrik 2024, në një livadh në fshatin Selcë të Malësisë së Madhe, janë zbuluar 11,358 bimë narkotike cannabis cattiva, të mbjella në tri parcela me sipërfaqe totale 6,956 m². Gjatë kontrollit, policia ka arrestuar në flagrancë Mark Gilajn, ndërsa në një kasolle të improvizuar janë sekuestruar një pushkë Model 56, një armë gjahu dhe disa fishekë luftarakë.
Sipas SPAK, Gilaj ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit të veprimtarisë kriminale dhe ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë. Për identifikimin e bashkëpunëtorëve, çështja është ndarë në procedime të veçanta me numrat 26/1 dhe 26/2 të vitit 2025 dhe hetimet po vijojnë për këto pista të reja.