Tiranë, Topi: Pas reagimeve për BBV fshihen shërbime sekrete

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka komentuar me tone të forta valën e reagimeve në rrjetet sociale pas incidentit të ndodhur në reality-show-n “Big Brother VIP”, ku banorja Jozi goditi fizikisht Gjestin.
Në një intervistë televizive, Topi u shpreh se reagimet e shumta në rrjet nuk janë thjesht shprehje e lirë e opinionit publik, por pjesë e një strategjie të organizuar me prapavijë të dyshimtë.
“Nuk besoj që këto janë reagime spontane. Në pamje të parë duket sikur janë shumë, por në fakt janë pak njerëz, shpesh me emra të çuditshëm dhe që merren profesionalisht me këtë punë,” tha ai.
Sipas Topit, pas kësaj fushate digjitale që nxit ndasi dhe urrejtje, qëndrojnë grupe të mirëorganizuara që veprojnë me mbështetje financiare dhe logjistike. Ai shkoi edhe më tej, duke sugjeruar përfshirjen e shërbimeve të huaja sekrete në këtë lloj aktiviteti.
“Janë falanga të paguara. Sot lufta nuk bëhet më me armë, por me inteligjencë. Dhe fatkeqësisht, kemi edhe shqiptarë që flasin shqip, por punojnë për interesa të huaja,” theksoi ish-presidenti.
Ai shtoi se një pjesë e madhe e profileve që reagojnë ashpër dhe përçajnë opinionin publik në rrjete sociale janë të rreme, të krijuara me qëllim manipulimi dhe destabilizimi.