Toka në Santorini po qetësohet gradualisht

Shkencëtarët nga Universiteti i Athinës, të cilët monitorojnë tërmetet pranë ishullit Santorini, deklaruan sot se fenomeni është në një “rënie graduale”, pothuajse një muaj pasi filluan lëkundjet e shumta sizmike.
Tërmetet, të cilat ndonjëherë janë regjistruar brenda vetëm disa minutave, kanë detyruar mijëra banorë të largohen nga qytetet e Santorinit, si dhe nga ishujt fqinj Ios, Amorgos dhe Anafi, raporton AP.
Shkollat në këta ishuj janë të mbyllura për javën e katërt radhazi, ndërsa janë në fuqi edhe shumë masa të tjera kufizuese. Megjithatë, shkencëtarët kanë deklaruar se janë inkurajuar nga zhvillimet e fundit.
“Aktiviteti sizmik vazhdon të tregojë një rënie të vazhdueshme, si në numrin ditor të tërmeteve të regjistruara, ashtu edhe në magnitudat maksimale të tyre”, thuhet në njoftimin e Komitetit Ndërdisiplinor për Menaxhimin e Rreziqeve dhe Krizave të Universitetit të Athinës.
Sipas të dhënave, aktiviteti sizmik mbetet i përqendruar në të njëjtën zonë dhe nuk janë vërejtur rritje të reja të mikro-tërmeteve që nga 15 shkurti.
Komiteti njoftoi se nga 26 janari deri më 22 shkurt janë regjistruar më shumë se 20.000 tërmete, me magnitudë mbi një shkallë të Rihterit.
Lëkundjet e shumta, të cilat i atribuohen proceseve natyrore tektonike dhe lëvizjes së magmës nën fundin e detit, arritën një magnitudë maksimale prej 5.3 shkallësh të Rihterit, por shkaktuan vetëm dëme të vogla materiale, raporton Tanjug.
Kryetari i bashkisë së Santorinit, Nikos Zorzos, të hënën deklaroi se disa mijëra persona janë kthyer në ishull që nga fundjava e kaluar dhe i bëri thirrje autoriteteve të ofrojnë ndihmë shtesë për menaxhimin e rreziqeve, përfshirë kontrollin e rrëshqitjeve të shkëmbinjve dhe vendosjen e gardheve mbrojtëse në shpate.