Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Trençevska për TV24: Qytetarët të jenë të qetë, do të ketë të holla për ekzekutimin e pensioneve dhe pagave

2 min read

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, sot ishte mysafire në Televizionin 24, ku foli për disa tema që janë përgjegjësi e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

“Pensionistët i morën pensionet e shtatorit dhe ato janë rritur me 6.8% dhe sipas metodologjisë së re, pensionet do të rregullohen dy herë në vit, në shtator dhe mars. Qëllimi i një zgjidhjeje të tillë është krijimi i një sistemi për rritjen e përhershme të pensioneve. Në shifra, një pensionist me pension mesatar prej 16.376 denarë në gusht ka marrë 17.490 denarë në shtator, në krahasim me qershorin e vitit 2017, është rreth 3500-4000 denarë më shumë para në llogarinë e secilit pensionist”, tha Trençevska.

Metodologjia e re parashikon rregullimin e pensioneve, sipas lëvizjes së indeksit të kostos së jetesës në masën 50% dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë punonjësit në shtet në masën 50%, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës.

Qytetarët të jenë të qetë, do të ketë para për ekzekutimin e pensioneve dhe pagave, tha Trençevska. Duke theksuar se mjetet për ekzekutimin e pensioneve, pagave dhe kompensimeve për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve janë paraparë në Buxhet.

Ministrja informoi se tashmë është diskutuar me shoqatat e pensionistëve për rritjen e pensionit minimal, për të cilin do të hapet dialogu social dhe do të krijohet zgjidhja më e qëndrueshme.

Ministrja iu referua edhe komentit për metodologjinë e re të rregullimit të pensioneve dhe rritjen lineare të pensioneve, ku theksoi se përmes rritjes në përqindje të pensioneve, sipas metodologjisë së re, vërtetohet se sistemi është i drejtë. Sepse e drejta për të përfituar pension është një e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe çdo punëtor që plotëson kushtet për pension, respektivisht duke mbushur moshën 64 vjeçare për burrë  dhe 62 vjet për grua, në formimin e pensionit do të merret parasysh stazhi i përgjithshëm i punës dhe mesatarja e pagës që ka marrë gjatë jetës aktive në punë.

Ministrja theksoi se paga më e lartë do të thotë pozitë më e lartë dhe përgjegjësi më të mëdha, prandaj përqindja e rritjes së pensioneve është e drejtë. Rritja lineare prej 600 denarë e bërë nga Qeveria e kaluar është shpërfillje e zgjidhjes ligjore dhe masë populiste. Nëpërmjet harmonizimit të pensioneve sipas metodologjisë së re, pensionet kanë rritje konstante dhe njëkohësisht çdo harmonizim përfshihet në bazën e pensionit.

Ajo përkujtoi se me harmonizimin e pensioneve të janarit prej 2.9% dhe bashkë me 6.8% për muajin shtator, këtë vit pensionet u rritën me 9.7%. Si dhe fakti se 330.000 pensionistë morën mbështetje financiare prej 3.000 denarë për përballimin më të lehtë të krizës ekonomike.