Ulqin, Hasani: Konsullata e Përgjithshme, një nyje strategjike për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri–Mal i Zi

Ulqini përjetoi sot një ditë historike me përurimin e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në këtë qytet me pasuri të mëdha natyrore, historike dhe kulturore. Ceremonia u zhvillua në praninë e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, përfaqësuesve të qeverisë qendrore dhe vendore, trupit diplomatik dhe qytetarëve të Ulqinit.
Ministri Hasani e cilësoi këtë hap si një dëshmi të marrëdhënieve të veçanta mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe të angazhimit të përbashkët për një të ardhme më të fortë e të lidhur mes dy vendeve. Sipas tij, konsullata do të shërbejë si një nyje strategjike për forcimin e shkëmbimeve tregtare, promovimin e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm në sektorë kyç si turizmi, energjia dhe infrastruktura.
Ai vuri në dukje edhe përkushtimin e qeverisë shqiptare për mbështetjen e shqiptarëve në Mal të Zi, duke vlerësuar kontributin e tyre në rrugën demokratike dhe euroatlantike të vendit fqinj. “Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë rol dhe të inkurajojmë përfaqësimin e tyre aktiv në të gjitha nivelet e jetës institucionale,” u shpreh ministri Hasani.
Në kuadër të vizitës, ai u takua me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit dhe turizmit. Hasani vizitoi gjithashtu Qendrën e Librit dhe Promovimit të Kulturës Shqiptare – Libraria Ulqini, e cila këtë vit ka përfituar një mbështetje prej 50 mijë eurosh nga qeveria shqiptare. Ai garantoi vazhdimin e përkrahjes për këtë qendër kulturore.
Vizita përfshiu edhe takime me drejtues të partive politike shqiptare në Malin e Zi, ku u shkëmbyen ide dhe u diskutuan zhvillimet politike dhe rajonale.