Manchester United ka dhjetë vjet që pret titullin e Premierligës. Ata do të presin të paktën një tjetër sepse skuadra aktuale e drejtuar nga Ralph Rangnick nuk ka kapacitete për të luftuar konkurrentët. Për “djajtë e kuq” sukses do të jetë edhe nëse arrijnë të kualifikohen në Champions League.
Përballë realitetit të Old Trafford, ata po planifikojnë lëvizje radikale në afatin kalimtar të verës. The Sun shkruan se të paktën 12 lojtarë do të largohen nga klubi në merkaton e verës.
Në këtë listë është edhe Cristiano Ronaldo. Portugezi shprehet i pakënaqur me statusin që ka në skuadër. Fundjavën e kaluar ai nuk luajti kundër Manchester Cityt. Trajneri pretendon se ka mbetur i lënduar, mediat shkruajnë se ai vendosi të nisej drejt Portugalisë kur mori vesh se do ta niste garën si rezervë.
Përveç Ronaldos, nga klubi si lojtarë të lirë do të largohen edhe Paul Pogba, Jesse Lingard, Edinson Cavani dhe Juan Mata.
Të tjerët në listë, sipas The Sun, janë: Harry Maguire, Victor Lindelof, Eric Bai, Phil Jones, Mason Greenwood, Tom Heaton dhe Lee Grant.
Në këtë grup duhet të jetë edhe Marcus Rashford. Ditën e djeshme, Fabrizio Romano bëri të ditur se futbollisti anglez do të kërkojë një transferim, i pakënaqur me trajtimin që ka me Ralph Rangnick.
You must be logged in to post a comment.