Bordi drejtues i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), në një takim me gazetarët ka prezantuar aktivitetet, objektet arsimore në kampus, bashkë me arsyet se përse duhet të zgjidhet ky universitet, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Bordit Ekzekutiv të IBU-së, Aydogan Ademoski, zëvendëskryetari, Eser Cevahir dhe anëtari, Imer Selmani, në konferencën e përbashkët për mediat thanë se universiteti i tyre për kushtet dhe ambientin që e ofron, është më i miri në Maqedoninë e Veriut, dhe për këtë arsye, të rinjtë duhet të studiojnë këtu.
Në prezantimin e tij, Ademovski tha se misioni i universitetit është ngritja e arsimit në një nivel më të lartë duke e bërë më konkurues në tregun e punës.
“Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, është një fondacion që u themelua 11 vjet më parë. Fondacioni u themelua për të zhvilluar sistemin arsimor ndërkombëtarisht, si dhe të zhvillojmë bashkëpunimin mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Ademovski.
Informata më të hollësishme rreth mundësive që ofron universiteti, foli Imer Selmani, anëtar i Bordit drejtues, i cili në sqarimin e tij tha se qëllimi themelor i universitetit me të gjitha fakultetet që ka, është që të rinjve, pavarësisht se prej nga vijnë, t’u mundësohet një proces arsimor i cilësisë së lartë.
“Studentët tanë, fëmijët tanë këtu, i përgatisim për shekullin 21, por në nivel global, jo vetëm në atë lokal për vendin tonë. Sot mund të jemi krenar për infrastrukturën të cilan ua ofrojmë studentëve tanë”, tha Selmani, për të shtuar se universiteti disponon me një ambient të mrekullueshëm pozitiv, që e rangon lartë krahasuar me universitetet tjera në Maqedoninë e Veriut.
Zëvendëskryetari i Bordit, Eser Cevahir, nga ana e tij tha se qëllimi i tyre nuk është vetëm arsimimi i gjeneratave të reja, por edhe shndërrimi i univerzstetit në pasqyrën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e arsimit dhe shkencës në nivel global.
Universiteti, i cili u themelua 11 vjet më parë, ka 7 fakultete, në të cilat ligjërohet në gjuhën anglze. Sipas Listës së Shangait, bëhet fjalë për universitetin më të mirë në Maqedoninë e Veriut në fushën e arsimit dhe mësimdhënies dhe ka një akreditim të dyfishtë, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Turqia. Në IBU aktualisht studiojnë mbi 2.000 studentë ndërsa deri më sot ka shpërndarë mbi 1000 bursa.