Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Valbona Toska – Nënkryetare e PDSH-së:PDSH-ja ndërtoi platformën e mirëfilltë kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

2 min read

Besimi i dhënë!

Shkrimtari i njohur Ernest Heminguej thotë që mënyra më e sigurt për të kuptuar nëse mund t’i zësh besë dikujt është t’i japësh besim.

 

Shumë vetë, duke u konsideruar të denjë për një gjë të tillë, këtë besim e morën nga Partia Demokratike Shqiptare, në mënyrë që ta jetësojnë ideologjinë e pakontestueshme të kësaj partie. Mirëpo besimi i dhënë nuk u kuptua drejt nga të gjithë. Disa prej tyre, kryesisht ata që shijuan edhe privilegjet e pushtetit, e rritën oreksin dhe tashmë ideologjinë dhe parimet e PDSH-së i zëvendësuan me luftën për të mira personale, jo vetëm duke shkelur mbi interesat e PDSH-së, por edhe duke e dëmtuar atë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi. Shumë emra e kaluan këtë rrugë dhe vetëm sot, kur u qetësuan stuhitë dhe kur në skenën politike u nda shapi nga sheqeri, përkatësisht kur u pa qartë kush bashkëpunon dhe mbështet hapur subjekte antiperëndimore, po kuptohet edhe më qartë se PDSH-ja, në dallim nga ta, u mbeti besnike deri në fund përcaktimeve të veta dhe nuk theu asnjëherë besimin e anëtarësisë dhe të përkrahësve të saj. Kurse të gjithë ata që nuk ditën të vlerësojnë atë që KISHIN sa ishin në PDSH, koha po i mëson tani të vlerësojnë atë që PATËN. Sepse PDSH-ja ka çka ofron. PDSH-ja ndërtoi platformën e mirëfilltë kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, PDSH-ja i përfaqësoi me dinjitet shqiptarët nëpër institucionet shtetërore, me numra e me cilësi, duke siguruar edhe mirëqenie ekonomike, PDSH-ja i dha vendin e merituar gruas shqiptare (ministrja e parë shqiptare, kryetarja e parë shqiptare e një komune dhe kandidatja e parë shqiptare për president në nivel shteti ishin nga radhët e PDSH-së), PDSH-ja na nxori faqebardhë gjatë ballafaqimit me krizën e luftës së Kosovës, PDSH-ja mbeti e palëkundur në orientimin properëndimor, PDSH-ja asnjëherë nuk bëri kompromise në llogari të interesit kombëtar, edhe pse për këtë ka paguar kosto të lartë. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, PDSH-ja mbeti po ajo familje e vjetër që siguron vend nën kulmin e shtëpisë së vet për të gjithë ata që ia duan të mirën popullit shqiptar. PDSH-ja nuk është ajo që theu besimin e dikujt, përkundrazi ishin të shumtë ata që thyen besimin e PDSH-së.

​​​​​​​​​

Valbona Toska – Nënkryetare e PDSH-së