Visar Ganiu: Patronati i SHF “Hasan Prishtina”, dëshmi e vlerave arsimore dhe kombëtare

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka vlerësuar lart organizimin e patronatit të shkollës fillore “Hasan Prishtina”, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme arsimore dhe kulturore për komunën dhe më gjerë. Në një atmosferë festive që përkujtonte edhe 10-vjetorin e emrit të shkollës, Ganiu theksoi rëndësinë e edukimit dhe ruajtjes së kujtesës historike.
“Nëpërmjet një programi të pasur dhe të menduar me kujdes, shkolla ‘Hasan Prishtina’ dëshmoi se është jo vetëm tempull i dijes, por edhe vend i formimit të vlerave qytetare dhe kombëtare. Përgëzoj drejtoreshën znj. Esma Fazlija dhe të gjithë stafin për përkushtimin e treguar,” u shpreh Ganiu.
Ai shtoi se ngjarje të tilla janë dëshmi e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përkushtimit për arsim cilësor. “Nxënësit tanë, me talentin dhe punën e tyre, na mbushin me krenari dhe shpresë për një të ardhme më të ndritur,” përfundoi kryetari Ganiu.