VJEN NDRYSHIMI EDHE NË ITSHKSH – ARBEN FETAI: PROFESIONALIZIM DHE DEPOLITIZIM PËR NJË INSTITUT ME MISION KOMBËTAR

Pas 11 vitesh vjen ndryshimi edhe në udhëheqësinë e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup. Në seancën e sotme, Qeveria e Maqedonisë së Veriut emëroi profesor Besnik Eminin si drejtor të ri të këtij institucioni të rëndësishëm për shqiptarët.
Prof. Besnik Emini, historian me përvojë të gjatë dhe punëtor i lartë shkencor në kuadër të ITSHKSH-së, është autor i shumë studimeve në fushën e historisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai gëzon reputacion për integritetin e tij akademik dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të mëtejshëm të studimeve shkencore mbi trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, e ka përshëndetur vendimin, duke theksuar se:
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt depolitizimit dhe profesionalizimit të ITSHKSH-së. Institucioni duhet të jetë bartës i dijes, jo i ndikimeve partiake. Kemi nevojë për transparencë, cilësi shkencore dhe vizion kombëtar që i shërben të ardhmes, e jo të kaluarës së deformuar.”
Emërimi i drejtorit të ri shihet si pjesë e një procesi më të gjerë reformues që synon kthimin e besimit në institucionet kombëtare shqiptare dhe orientimin e tyre drejt standardeve akademike bashkëkohore.