Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar në Bruksel më 26 tetor për një seri takimesh kokë më kokë me liderët individualë të Bashkimit Evropian (BE), ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Sipas tij, takimet që do të kenë liderët e Kosovës dhe Serbisë janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesë e madhe” vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së si mbështetje për rikthimin e dialogut. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’i kthehen menjëherë dhe pa probleme obligimeve që dalin nga dialogu, të punojnë menjëherë për de-përshkallëzimin dhe rifillimin e dialogut”, tha zëdhënësi i BE-së, Stano.
Siç mëson Radio Evropa e Lirë (RFE) nga burimet e saj, Kurti dhe Vuçiq do të priten nga kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.