Një ditë para bisedimeve mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka ardhur mesazhi i parë për pritjet. Vuçiq ka thënë për mediat serbe se është befasuar nga mbulimi i madh mediatik, ndaj ka treguar se shpreson për një bisedë të mirë, edhe pse nuk është i sigurt nëse do ta ketë.
“Unë nuk po udhëtoj në Ohër me ndonjë mesazh, por për të përfaqësuar interesat tona. Unë nuk përdor asnjë truk. Gënjeshtra ka sa të duash. Këto hile janë jetëshkurtër. Gjithçka që kisha, ia thashë Escobarit dhe Lajçakut, nesër do t’i them Borelit dhe Kurtit. Kur më thanë se tashmë kishin ardhur më shumë se 200 shtëpi mediatike – u habita, por shpresoj për një bisedë të mirë. A do të ketë apo jo – nuk jam optimist. Por ju e dini se asgjë nuk ka ndryshuar që nga diskutimi parlamentar”, tha Vuçiq.
Takimi Vuçiq-Kurti do të jetë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Takimi në Ohër është vazhdimësi e diskutimit që dy liderët patën më 27 shkurt në Bruksel.