Zgjedhjet lokale në horizont – VLEN përgatit terrenin, Taravari në qendër të vëmendjes

Koalicioni opozitar VLEN po vazhdon përgatitjet për zgjedhjet lokale të tetorit, përmes një takimi të ri të grupit punues që do të mbahet sot. Pjesë e diskutimeve do të jenë mënyra e daljes së përbashkët në zgjedhje, ndarja e komunave dhe listat për këshilltarë.
Ky takim vjen pas dakordimit të liderëve të koalicionit të premten që negociatat të vazhdojnë, pavarësisht tensioneve të fundit brenda radhëve të VLEN-it.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka mohuar spekulimet për largim nga VLEN dhe ka përgënjeshtruar çdo komunikim me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas burimeve brenda koalicionit, Taravarit aktualisht i është ofruar 35% e kandidaturave për kryetarë komunash dhe këshilltarë. Konkretisht, ai do të ketë të drejtën të propozojë kandidatë në Gostivar, Strugë dhe Vrapçisht, si dhe të zgjedhë mes komunave Likovë, Haraçinë dhe Studeniçan për një kandidaturë tjetër. Po ashtu, mund të propozojë një kandidat edhe në njërën nga komunat Bërvenicë apo Çashkë.
Ndërkohë, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Lëvizja BESA pritet të kenë secila nga tre kandidatë në komuna ku kanë gjasa të fitojnë.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në një intervistë për Alsat, i ka dhënë Taravarit afat një javor për të vendosur nëse do të qëndrojë brenda VLEN-it apo do të afrohet me BDI-në.