Zyrtare së shpejti: Erik ten Hag trajner i ri i Bayer Leverkusen – synon transferimin e Onanës!

Zëvendëskampioni i Bundesligës, Bayer Leverkusen, ka caktuar ditën e hënë për prezantimin e trajnerit të ri, dhe sipas burimeve ekskluzive të Fabrizio Romanos, bëhet fjalë për Erik ten Hag, ish-trajnerin e Ajax dhe Manchester United.

Ten Hag do të firmosë kontratë dyvjeçare deri në qershor 2027, ndërsa prezantimi zyrtar pritet të ndodhë në fillim të javës. Ai do të pasojë Xabi Alonson, i cili ditë më parë u emërua si trajner i ri i Real Madridit.

Ky është angazhimi i parë i Ten Hag pas largimit nga Manchester United në tetor të vitit 2024. Edhe pse nuk arriti objektivat në Premier League, ai fitoi dy trofe të rëndësishëm: FA Cup në 2024 dhe Carabao Cup në 2023.

📌 Onana në radar

Menjëherë pas marrëveshjes, Ten Hag ka filluar të planifikojë përforcimet dhe një nga emrat e përfolur është Andre Onana, portieri aktual i Manchester United. Dyshja ka bashkëpunuar më herët si te Ajax ashtu edhe te United, dhe një ribashkim në Leverkusen nuk përjashtohet.

Megjithatë, kjo ide nuk është pritur mirë nga një pjesë e tifozëve të Leverkusenit, të cilët nuk janë të bindur për Onanën si zgjidhje ideale për portën.

Zhvillimet e reja priten në ditët në vijim, ndërsa Ten Hag duket se është i vendosur të sjellë fytyra të njohura për të ndërtuar një ekip konkurrues për sezonin e ardhshëm.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights