Christopher Hill dëshmon në Gjykatën Speciale për takimet me UÇK-në

Ish-diplomati amerikan rrëfen përpjekjet për të kuptuar udhëheqësit e UÇK-së dhe për procesin politik në Kosovë.

Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, përfundoi për sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale dhe do ta vazhdojë nesër nga ora 09:00.

Hill rrëfeu për një takim të zhvilluar në fshatin Likoc me Rexhep Selimin, ku ishin të pranishëm edhe Fehmi Agani nga LDK-ja, gazetarët Veton Surroi e Blerim Shala, si dhe asistentja dhe zëdhënësi për shtyp i Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Sipas Hill, qëllimi i takimit ishte të kuptohej më mirë se kush udhëhiqte UÇK-në dhe si mund të përfshihej në procesin politik. Ai theksoi se kishte pasur urgjencë për shkak të një draft-autonomie që nuk po arrinte të negocionohej.

Pas takimit në Likoc, Hill dhe delegacioni i tij udhëtuan drejt Shtimes, ku automjeti i tyre u qëllua me plumba. Fehmi Agani e kishte cilësuar incidentin si një provokim të mundshëm nga serbët.

Hill përmendi gjithashtu se në takim ishte edhe Mehmet Hajrizi dhe se UÇK-së i ishte kërkuar të rikonstruktohej dhe të caktohej një “kryeministër i ri”. Ai shtoi se fillimisht kishte menduar se Rexhep Selimi ishte personi që merrte vendime në emër të UÇK-së, por u zhgënjye kur mësoi se vendimet do të merreshin më vonë.

Para këtij takimi, Hill kishte zhvilluar edhe një takim në Junik me një anëtar të UÇK-së me mjekër dhe veshje kamuflazhi, i cili sipas tij nuk ishte udhëheqësi i organizatës.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com