Murtezani, mikpritës i një delegacioni të ambasadorëve të Suedisë

Ministri për Çështjet Evropiane, Orhan Murtezani, sot ishte mikpritës i një delegacioni të ambasadorëve të Suedisë, me të cilët zhvilloi një tryezë të rrumbullakët në kuadër të mbështetjes suedeze për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Siç njoftoi Ministria për Çështjet Evropiane, Murtezani shprehu mirënjohje për mbështetjen parimore të Suedisë për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe procesin e saj reformues.
“Mëngjesin e sotëm kisha nderin të jem nikoqir i tryezës së rrumbullakët, të organizuar në Ministrinë për Çështje Evropiane, për nder të delegacionit të ambasadorëve suedezë, në të cilën diskutuam mbështetjen e Suedisë në proceset tona reformuese në rrugën drejt BE-së.
Suedia është donatori më i madh bilateral mes vendeve anëtare të BE-së dhe kishte rol të rëndësishëm në përforcimin e institucioneve tona, ekonomisë dhe mjedisit jetësor. Jemi mirënjohës për këtë partneritet që na ndihmon të harmonizohemi me standardet evropiane dhe të përforcojmë themelet e demokracisë sonë”, ka njoftuar Murtezani.