Përfundohet rruga Shëngjin-Velipojë, udhëtimi shkurtohet në 20 minuta

Qytetarët që duan të vizitojnë bregdetin nga Shëngjini në Velipojë tashmë do ta bëjnë këtë rrugë më shpejt dhe më lehtë, falë investimit prej 3.8 miliardë lekësh. Ky projekt ka mundësuar aksesin në zona që më parë ishin të pakalueshme, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e turizmit dhe ekonominë lokale.
Banorët e zonës shprehen të kënaqur që rruga është bërë funksionale, pasi pritet të sjellë më shumë turistë dhe të rrisë mundësitë për bizneset lokale. Përmirësimi i infrastrukturës ka bërë që koha e udhëtimit nga Shëngjini në Velipojë të reduktohet nga 1 orë e 20 minuta në vetëm 20 minuta.
Aksi panoramik, me një gjatësi prej 15 kilometrash, kalon përmes zonave turistike të Shëngjinit, Ranës së Hedhur, Rrjollit dhe Lagunës së Vilunit. Përveç rritjes së vlerës së pronave, ky investim pritet të nxisë zhvillimin e mëtejshëm të turizmit dhe ekonomisë në këtë rajon bregdetar.