Tiranë, PLL konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhjet e 11 majit

Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, si pjesë e koalicionit opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Nëpërmjet një njoftimi publik, PLL ka bërë të ditur se do të përfaqësohet me kandidatët e saj në disa qarqe të vendit, duke synuar të kontribuojë në përfaqësimin politik të shtresave të përndjekura, pronarëve legjitimë dhe nacionalistëve shqiptarë.
Sipas listës së publikuar nga PLL, kandidatët e saj do të garojnë në qarqet kryesore të vendit, ku do të mbështeten nga strukturat e partisë dhe simpatizantët e saj. Më konkretisht, PLL ka paraqitur kandidatët e mëposhtëm:
✅ Qarku Tiranë – Petrit Doda (listë e hapur)
✅ Qarku Durrës – Aulon Kalaja (listë e hapur)
✅ Qarku Dibër – Denisa Vata (listë e mbyllur)
✅ Qarku Shkodër – Tedi Kopliku (listë e hapur)
✅ Qarku Fier – Ajet Gurguri (listë e hapur)
✅ Qarku Dibër – Alketa Agolli (listë e hapur)
✅ Qarku Dibër – Ismail Uka (listë e hapur)
PLL u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të saj, shtresës së të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë, si dhe mbështetësve të saj brenda dhe jashtë vendit, që të votojnë për kandidatët e kësaj partie në qarqet përkatëse. Ndërkohë, në qarqet ku PLL nuk ka kandidatë, partia fton votuesit të mbështesin “Aleancën për Shqipërinë Madhështore” dhe përfaqësuesit më të denjë të këtij koalicioni.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm brenda PLL është vendimi i kryetarit të saj, Shpëtim Axhami, për të mos garuar në zgjedhje. Fillimisht, ai ishte propozuar si kandidat për qarkun Fier, por ka vendosur të tërhiqet nga gara për t’u përqendruar në organizimin dhe drejtimin e fushatës së PLL-së në nivel kombëtar. Ky vendim është marrë me dakordësi mes palëve negociuese brenda koalicionit dhe ka për qëllim maksimalizimin e mbështetjes elektorale për partinë.
Me këtë angazhim të plotë në procesin zgjedhor, PLL synon të luajë një rol kyç në koalicionin opozitar dhe të sigurojë një përfaqësim sa më të gjerë të vlerave dhe idealeve të saj në Kuvendin e ardhshëm.