Revista “Metafora” i botoi biografitë e laureatëve të Çmimit kombëtar “Ali Vishko”

Prof. Dr. Ali Vishko la pas vetes një trashëgimi të pasur shkencore

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë e ka botuar numrin e radhës të revistës për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”. Në këtë numër të revistës janë botuar biografitë e dhjetë laureatëve të Çmimit kombëtar “Ali Vishko”, nga viti 2015 deri në vitin 2024. Sivjet redaksia e revistës me në krye Mr. Selam Sulejmanin vendosi t’i publikojë biografitë e laureatëve të çmimit të sipërthënë.

“Lauretët e këtij çmimi nderi janë personalitete të njohura që kanë kontribuar në fusha të ndryshme. Çmimi kombëtar “Ali Vishko” është themeluar në vitin 2014 nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”. Çdo 10 qershor, në kuadër të manifestimit kulturor ‘Lidhja na bashkon’ që mbahet në Tetovë në datën historike të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për kontribute të theksuara si dhe për arritje me rëndësi të veçantë në lëmin e arsimit, të shkencës dhe të kulturës shqiptare, ky çmim u është ndarë personaliteteve të njohura dhe institucioneve kulturore. Laureatë të çmimit të lartpërmendur kanë qenë: Prof. Dr. Avzi Mustafa, në vitin 2015; Prof. Dr. Remzi Nesimi, në vitin 2016; Prof. Dr. Tahir Zajazi, në vitin 2017; Prof. Dr. Reshat Nexhipi, në vitin 2018 – që të gjithë nga Republika e Maqedonisë së Veriut; Prof. Xhemaledin Salihu nga Lugina e Preshevës, në vitin 2019; Prof. Dr. Nebi Dervishi, në vitin 2020; Mr. Satki Ismaili, në vitin 2021; Teqeja “Harabati Baba” Tetovë, në vitin 2022; Prof. Dr. Vullnet Ameti, në vitin 2023 dhe Prof. Muhamer Sadiku, në vitin 2024,” – theksoi Mr. Selam Sulejmani.

Prof. Dr. Ali Vishko la pas vetes një trashëgimi të pasur shkencore e cila pa dyshim është një bazë e fortë argumentuese për studiuesit e tashëm dhe për ata që do të vijnë në të ardhmen. Kjo trashëgimi përfshin disa monografi, më shumë se 70 studime shkencore të publikuara në revista shkencore dhe në shtypin ditor të kohës, si dhe një numër të madh vështrimesh, recensionesh, kritikash shkencore, fejtone dhe artikuj lidhur me ngjarjet dhe personalitetet pothuajse të të gjitha periudhave historike të popullit shqiptar.

Revista “Metafora” botohet çdo vit. Në çdo numër të saj publikohen shkrime të hulumtuesve shkencorë, të poetëve dhe të shkrimtarëve të njohur. Artikujt janë studime të mirëfillta dhe paraqesin arritje të kërkimeve më të reja në lëmenjtë e sipërpërmendur.

Botimi i revistës u financua nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga sipërmarrjet e njohura: FIBAU, LAOR, HARITEK, JU SM, POLIKLINIKA STOMATOLOGJIKE “APOLON” si dhe FURNITURE NEW DESIGN.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights