Mexhiti takoi Zëvendësambasadoren e SHBA, Nicole Varnes
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti ka takuar gjatë ditës së djeshme Zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicole Varnes.
“Dje zhvillova një takim shumë të frytshëm me Zëvendësambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicole Varnes. E falënderova për mbështetjen e palëkundur që SHBA i jep Maqedonisë së Veriut, sidomos në procesin e integrimit në BE.
Diskutuam për marrëdhëniet e forta midis vendeve tona dhe për rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët”, është deklaruar Mexhiti.
Ai më tej ka sqaruar se në këtë takim, ka nënvizuar se, përveç përgjegjësive si zëvendëskryeministër, roli i tij si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor merr një rëndësi të veçantë për shkak të sfidave të mëdha mjedisore me të cilat po përballemi. Këtu përfshihet kriza energjetike, ndotja dekadëshe e ajrit, menaxhimi i mbetjeve, sigurimi i furnizimit me ujë të pastër dhe trajtimi i ujërave të zeza.
“Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në përballjen me krizën klimatike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Jam plotësisht i përkushtuar ndaj politikave që mbrojnë mjedisin, sepse kjo është mënyra më e mirë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, një prioritet i domosdoshëm”, është shprehur Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti.