Taravari: Protestat 10 vjeçare nga specializantet privat përfunduan me vendimin për punësimin e 600 specializantëve të ri
Taravari: Protestat 10 vjeçare nga specializantet privat përfunduan me vendimin për punësimin e 600 specializantëve të ri
I pari i shëndetësisë shpreh optimizëm se së shpejti do të arrihet një marrëveshje kolektive, e cila do të mbulojë të gjithë personelin mjekësor si për çështjen e rritjes së pagave ngjashëm edhe për punësimet e radhës që duhet të bëhen në këtë sektor.
“Jemi në negociata me të gjitha sindikatat e shëndetësisë dhe shpresoj që së shpejti të ulemi, që pastaj edhe me kryeministrin dhe të biem dakord për një marrëveshje kolektive që do të ishte zgjidhje për të gjithë punonjësit e shëndetësisë. Dhe kjo është zgjidhja për dhjetë vitet e ardhshme, që të mos kemi dhimbje koke me mjekët. Shpresoj që këtë javë të ulemi me edhe me ministrin e Financave dhe kryeministrin dhe sindikatat e shëndetësisë mund të jenë të pranishme për të arritur një marrëveshje. Sigurisht që do të ketë rritje pagash sidomos për personelin e mesëm mjekësor”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në TV21
Taravari po ashtu bëri të ditur se në vitin e parë të qeverisjes së koalicionit VMRO-DPMNE, “VLEN” dhe ZNAM pret të paktën 1800 vende pune në shëndetësi.
“Unë shoh që kryeministri është në disponim të mirë për të gjetur një zgjidhje për “kontraktorët” që janë angazhuar në këtë mënyrë prej vitesh. Ka njerëz që janë të punësuar vetëm përmes kontratave në vepër prej pesë deri në dhjetë vjet. Ata punojnë në shëndetësi me paga që janë nën minimumin dhe mendoj tepër keq për ata njerëz. Duhet të gjejmë një zgjidhje dhe po përpiqemi për këtë gjë. Shpresoj që së shpejti përfundimisht do ta rregullojmë këtë çështje”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Taravari.
Ai mbetet stoik në çështjen e punësimeve që do të bëhen në sektorin e shëndetësisë.
“Jam optimist se do ta përfundojmë këtë punë. Tashmë ka një zgjidhje për 600 mjekë specialistë, ata që protestuan për dhjetë vjet me radhë, dhe 300 të tjerë do të punësohen këtë vit dhe 300 të tjerë vitin e ardhshëm, gjithsej 600 mjekë, është një ‘nxitje’ e madhe për shëndetin publik. Dhe nëse përfshijmë 1.200 personel mjekësor me shkollë të mesme, në përgjithësi ata do të jenë ndihmës, higjienistë, infermierë, punëtorë laboratori, që në total i bie që kemi të bëjmë me 1800 vende pune”.