Kurti: Fillimisht marrëveshja e Brukselit dhe më pas marrëveshja e Uashingtonit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se Marrëveshja e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet dhe se pret “insistim shtesë” nga Komisioni Evropian për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
“Është marrëveshja e fundit që kemi dhe është një marrëveshje në të cilën kam marrë pjesë dhe e kam pranuar”, tha Kurti i pyetur nëse Marrëveshja e Uashingtonit do të ishte e pranueshme për të nëse administrata e re amerikane do të insistonte në zbatimin e saj.
“Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, e cila është gjithëpërfshirëse, sepse normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes reciproke de facto”, ka shtuar Kurti.
Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia verbalisht e pranuan Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe aneksin e saj nga Ohri.
Në vitin 2020, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, kryesisht për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën Kurti më vonë e kritikoi ashpër si jokushtetuese.