NPK “Sharri” Tetovë, me njoftim paralajmërues për të shlyer me detyrime të papaguara
Ndërmarrja Publike për Ujë dhe Kanalizim “Sharri” ka bërë të ditur sot se ka dërguar një njoftim paralajmërues për të gjitha kompanitë, personat juridikë dhe autolarjet që janë konsumatorë të mëdhenj të ujit dhe kanë mbetur me detyrime të papaguara për këtë shërbim. Këtyre subjekteve u është caktuar një afat 15-ditor për të shlyer detyrimet e tyre financiare ndaj ndërmarrjes; në të kundërtën, furnizimi i tyre me ujë do të ndërpritet deri në përmbushjen e plotë të këtyre obligimeve.
Ky vendim vjen si pasojë e angazhimit të ndërmarrjes për të siguruar menaxhimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të burimeve ujore në të mirë të qytetarëve dhe komunitetit në përgjithësi. Ndërmarrja nënvizon se përdoruesit e mëdhenj të ujit, që kanë përfitime të konsiderueshme nga ky shërbim, kanë një detyrim të veçantë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre financiare, duke mos i rënduar qytetarët e tjerë të cilët rregullisht shlyejnë faturat e tyre.
“Sharri” shpreh qartë se në këtë pikë nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe qëllimi i këtij njoftimi është që të ndërgjegjësohen të gjithë ata që janë të përfshirë, në mënyrë që të mos pësojnë ndërprerjen e furnizimit me ujë. Thirrja e fundit drejtuar të gjitha kompanive, personave juridikë dhe autolarjeve që kanë detyrime të papaguara është që të shlyejnë faturat e tyre brenda afatit të përcaktuar prej 15 ditësh, përndryshe, do të përballen me pasoja të drejtpërdrejta në furnizimin me ujë.