“Guardiola është më i miri, por jo një opsion për Brazilin”
Mediat në Brazil, por edhe ato në Angli, prej ditësh po përhapin informacione se trajneri aktual i Manchester Cityt, Pep Guardiola, mund të marrë drejtimin e skuadrës braziliane të futbollit.
Pas humbjes ndaj Sportingut në Ligën e Kampionëve, spanjolli bëri shaka duke thënë se ai me siguri nuk ishte më interesant për punëdhënësit e mundshëm në Amerikën e Jugut. Për këtë temë ka folur edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Brazilit, Ednaldo Rodríguez.
Sipas tij, Guardiola është një trajner që të gjithë do ta dëshironin në stolin e ekipit apo kombëtares së tij, por ai mohon kategorikisht se ka pasur kontakte.
“Pep është ndër më të mirët, nëse jo trajneri më i mirë në botë. Nuk kemi pasur asnjë kontakt me të dhe nuk po mendojmë ta punësojmë”, tha Rodríguez dhe shtoi:
“Aktualisht ne kemi një trajner dhe ai është Dorival Junior, i cili ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2025 dhe ne kemi besim të plotë tek ai, tani i takon atij dhe kolegëve të tij të dëshmojnë veten dhe të qëndrojnë në ato pozita në të ardhmen”.
Skuadra e pesë herë kampionit të botës është aktualisht në formë shumë të përzier, pasi ka fituar vetëm katër nga nëntë ndeshjet e fundit dhe aktualisht është në vendin e katërt në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.