Shkëndija kthehet me tre pikë nga qyteti i alfabetit të gjuhës shqipe
Shkëndija kthehet me tre pikë nga qyteti i alfabetit të gjuhës shqipe falë golit të Florent Ramadanit, derisa Pelisterit i shkaktojmë humbjen e parë si vendas këtë sezon.
PELISTERI – SHKËNDIJA 0:1 (0:1)
Stadiumi “Petar Milloshevski” në Manastir
Golashënues: F. Ramadani 36’ (Shkëndija)
Arbitër: Dimitar Pileshkov (Shtip)
PELISTERI: Dimovski, Ristevski, Kostov, Grozdanoski (Stojanovski 46’), Serafimovski (Ljamçevski 55’), Talevski (Siljanoski 69’), Karçeski, Naumoski, Todoroski (Fernando 83’), Ivanovski (c), Kerim.
Trajner: Vllatko Kostov
SHKËNDIJA: Amzai, Trumçi, R. Ramadani, Cake (c), F. Ramadani (Alhassan 71’), Kërstevski (Merxhani 71’), Webster (Latifi 85’), Shala, Qaka (Ahmedi 85’), Adili, Ademi (Ibraimi 33’).
Trajner: Jeton Beqiri
Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e 8-të sezonale pasi sonte në duelin e xhiros së 15-të në LPFMV mundëm 1:0 Pelisterin në Manastir. Një gol i Florent Ramadanit ishte vendimtar për tre pikët dhe triumfin në qytetin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Ndeshja nisi me një kërcënim të vendasve në minutën e parë që gjeti të gatshëm portierin Amzai, derisa u përgjigjëm me dy tentime jo precize të Cakes dhe Shalës. Në minutën e 33-të trajneri Beqiri detyrimisht kreu zëvendësimin e parë kur Besart Ibraimi hyri në vend të Fiton Ademit të dëmtuar. Efekti i kapitenit solli rezultat, pasi pikërisht një aksion i nisur nga ai në minutën e 36-të nxori në mundësi Florent Ramadanin, i cili me golin e 4 sezonal na jep epërsi 1:0, e që në fund u tregua të ishte rezultati final i takimit. Vendasit tentuan të përgjigjen por Cake u shfaq me një super intervenim kur shpëtoi gol të sigurtë kur i rëmben topin futbollistit vendas që doli ballë për ballë me Amzain. Deri në fund të pjesës së parë kishim dy tentime me Ibraimin, por pa sjellë ndryshim.
Fillimi i pjesës së dytë solli shans për tanët nga gjuajtja e lirë me Dimovskin që kontrollon tentimin e Ibraimit. Amzait ndali tentimin e Talevskit derisa pranë golit të dytë shkuam me Kërstevskin që gjuan vetëm disa centimetra pranë shtyllës. Në minutën e 59-të duhej ta kishim mbyllur takimin kur harkimi i Trumçit gjen në zonë F. Ramadanin, mirëpo numri “8” shpërdoron super mundësi për 2:0. Pak më vonë Ramadani do të gjente rrjetën me kokë, mirëpo goli anulohet pasi topi kishte kaluar vijën fundore para se Trumçi të harkonte në zonë. Në minutën e 72-të ishim me fat kur goditja e fortë e Kerimit shkoi pranë portës, derisa pak më vonë Amzai me qetësi kontrolloi goditjen e Ristevskit. Në minutën e 90-të rezikuam jo pak, mirëpo Trumçi me super intervenim shpëton, kështu që tre pikët shkojnë në konton e Shkëndijës.
Ndeshja e radhës
Mesjava është aktive në elitën vendore kur në program janë ndeshjet e xhiros së 16-të në LPFMV dhe Shkëndija në Tetovë pret Shkupin në derbin vëllezëror.
Shkëndija-Shkupi 27.11.2024