Shqipëri, megaoperacioni i SPAK, arrestohen zyrtarë drejtësie dhe gazetarë
Nën dyshimet se kanë marrë pjesë në organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, SPAK firmosi 21 fletë-arreste për zyrtarë drejtësie, policie e gazetarë. Për 18 prej tyre, prokuroria njoftoi se kishte kërkuar masën shtrënguese, arrest në burg, një në arrest shtëpie, dy në detyrim paraqitje.
Bëhet fjalë për dy gazetarët e kronikës së zezë, Elton Qyno dhe Artan Hoxha, të cilët janë vënë në detyrim paraqitje nga Gjykata Antikorruopsion.
Përmes burimesh, Vizion Plus mësoi se bëhet fjalë edhe për një tjetër masë arresti ndaj ish- gjyqtares së shkarkuar nga vettingu, Pajtime Fetahu. Ndaj saj gjykata vendosi burg pa afat, ndonëse më herët ishte vënë në masën e arrestit shtëpiak për dosjen “Çopja”, ku dyshohet se ka marrë rreth 11 mijë euro në këmbim të informacioneve ndaj grupit kriminal.
Emri i saj doli në operacionin “Plumbi i Artë 2” për grupet kriminale të Elbasanit, ku u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste.
Një masë e dytë arresti u vendos për ish shefin e krimeve në Tiranë, Dedan Gjoni, që më herët është arrestuar për dosjen “Metamorfoza”. Avokatja e Suel Çelës, Blerina Beqiri, përfundoi në arrest shtëpiak. SPAK thotë se nesër do të japë më shumë informacion për atë që e konsideron grup të strukturuar kriminal dhe akuzat konkrete për secilin prej tyre.
E sigurtë është që faktet penale janë bërë bashkë përmes aplikacionit të çkoduar, SKY ECC dhe Enchro Chat, ndërsa në ndihmë autoriteteve shqiptare u kanë ardhur edhe agjencitë e huaja ligjzbatuese, Europol dhe Eurojust. Operacioni ka nisur që nga mbrëmja e djeshme ku mësohet se janë ushtruar kontrolle në disa apartamente në Tiranë, përfshirë këtu edhe në shtëpitë e magjistratëve të tjerë./B.C Vizionplus.tv/