SHËNOHEN FESTAT E NËNTORIT NË PARALELEN E VAJZAVE TË MEDRESESË NË GOSTIVAR
Në kuadër të festave të nëntorit, përkatësisht Ditës së Flamurit të Kombit shqiptar dhe Ditës së Alfabetit Shqiptar, paralelja e vajzave pranë Sh.M.I. “Medreseja Isa Beu” në Gostivar organizoi një manifestim solemn dhe të veçantë. Ky aktivitet, i cili ka për qëllim përkujtimin dhe nderimin e këtyre datave historike, u zhvillua me pjesëmarrjen e nxënëseve të Medresesë, të cilat paraqitën një program të pasur artistik.
Nxënëset paraqitën një sërë pjesësh artistike, përfshirë poezi, ilahi dhe interpretime recituese, duke ndarë mesazhe të fuqishme lidhur me rëndësinë e këtyre ngjarjeve për historinë dhe identitetin e kombit shqiptar. Manifestimi u hap me leximin e një pjese të Kur’anit, një akt i cili përfaqëson respektin dhe devotshmërinë ndaj vlerave fetare dhe kombëtare.
Pjesëmarrësit u përshëndetën nga figura të rëndësishme të komunitetit fetar dhe arsimor në vendin tonë, duke filluar nga Kryetari i BFI të RMV, Reis Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Drejtori gjeneral i Medresesë Dr. Islam ef. Islami dhe Muftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli që dhanë mesazhe inkurajuese, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës dhe edukatës kombëtare te individi. Ata vlerësuan rolin e arsimit dhe kulturës në forcimin e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave të larta që i bashkojnë shqiptarët.
Ky manifestim i organizuar në ShMI “Medreseja Isa Beu” pati një ndikim të madh tek nxënësit dhe të pranishmit, duke u bërë një mundësi e shkëlqyer për të festuar dhe përkujtuar ditët historike të popullit shqiptar.