PREVIEW | FC SHKUPI – STRUGA TRIM LUM
Pas suksesit tonë të fundit kundër Pelisterit në shtëpi, të martën në Shkup do të përballemi me skuadrën e FC Shkupit. Kjo ndeshje duheshe të luhet të dielën e 01 dhjetorit, mirëpo për shkak kushteve të rënda klimatike ishte shtyrë për datë 03 dhjetor…
Përballja FC Shkupi-Struga Trim Lum pritej me padurim nga tifozët e të dyja skuadrave, mirëpo vendimi i fundit i FFM-së që ndeshjet e javës së 17-të, të luhen pa praninë e publikut, ka zbehur gjithçka në mesin e tyre, ashtu që mënyra e vetme për të përcjellë skuadrat e tyre të zemrës, do të jetë kanali zyrtarë i FFM-së në youtube.
Të martën do të jetë hera e 17-të që neve do të përballemi ndaj FC Shkupit në historikun e ndeshjeve të Ligës së Parë. Kundërshtari ynë ka dy fitore më shumë se ne, përfshirë këtu edhe fitoren në ndeshjen e parë të këtij sezoni të zhvilluar në Strugë.
Komuniteti i futbollit në vend mezi pret të martën, për të parë se kush do të dalë fitues këtë herë.
STRUGA TRIM LUM – FC SHKUPI, FORMA MOMENTALE
Pas suksesit tonë të fundit kundër Pelisterit në Strugë, neve synojmë të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive, duke synuar në këtë mënyrë që të mbajmë presionin mbi skuadrat kryesuese në tabelën e klasifikimit.
Mbi të gjitha, një fitore nesër në stadiumin e Çairit, do na afronte edhe më tepër me skuadrat sipër nesh, kjo për faktin se mes vete do të përballen dy skuadrat e para në tabelë, Sileksi dhe Gostivari.
Struga Trim Lum ndodhet në një seri prej 7 ndeshjeve pa humbje, nëse këtu përfshijmë edhe fitoren 2:0 ndaj Makedonija Gj.P, ndeshje kjo e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë.
Ndryshe, në kampionat numërojmë 4 fitore dhe 2 barazime. Disfatën e fundit e kishim pësuar në terren vendas përballë Sileksit me 20 tetor, ndërsa e fundit dhe e vetmja nga ndeshjet në transfertë, daton nga 25 gushti, kur në arenën “Todor Proeski” në Shkup, ishim mundur nga Rabotniçki.
FC Shkupi ndodhet në një krizë të thellë të rezultateve me trajnerin Erdem Alparslan. Ky i fundit e kishte nisur mjaft mirë aventurën te kjo skuadër, duke debutuar me fitore në ndeshjen ndaj AP Brera, për të vijuar më pas me një barazim pa gola në Manastir ndaj Pelisterit dhe një fitore tjetër ndaj Tikveshit në kuadër të xhiros së 11-të.
Që nga ajo ndeshje e 27 tetorit, FC Shkupi ka pësuar 5 disfata të njëpasnjëshme, me një gol-averazh, 3:11.
FAKTE DHE STATISTIKA
FC Shkupi është ndër skuadrat e rralla që mund të lëvdërohet me një epilog më të mirë përballë nesh në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Parë. 7 fitore ka arritur skuadra nga Çairi, derisa neve numërojmë 5 fitore ndaj tyre. Me barazim janë mbyllur katër ndeshje, dy prej të cilave pa gola të shënuar.
Fitoren e vetme në rolin e mysafirit ndaj FC Shkupit, e kemi regjistruar me 16 dhjetor të vitit 2020, kur falë golave të shënuar nga Klisman Cake dhe Abdylhadi Jahja, kishim triumfuar me shifrat 2:1.
Pikërisht kjo ndeshje ishte e vetmja që e kemi zhvilluar gjatë muajit dhjetor. Të shpresojmë që edhe këtë herë do na buzëqeshi ky muaj i fundit i vitit në përballjet ndaj FC Shkupit.