Drejtori i Qendrës për Punë Sociale – Shkup, Hamza Ameti, organizon aktivitetin “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës”
Sot, në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës”, Drejtori i Qendrës për Punë Sociale – Shkup, Hamza Ameti, organizoi një aktivitet ndërgjegjësues për të luftuar dhunën në të gjitha format e saj. Aktiviteti, i mbajtur në Komunën e Çairit, mblodhi bashkë nxënës, mësues, psikologë dhe përfaqësues të komunitetit për të diskutuar rëndësinë e parandalimit të dhunës dhe ndërtimin e një shoqërie më të sigurt.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues të rëndësishëm nga Alternativa, përfshirë Deputeten Imërlije Saliu, Drejtorin e Librave Amë, Faton Fazliu, dhe Drejtorin e IPSH Shtëpia e Shëndetit – Shkup, Samir Iseni, të cilët ndanë mendimet dhe përvojat e tyre mbi rëndësinë e krijimit të një mjedisi paqësor dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
Në fjalimin e tij, Hamza Ameti theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjitha strukturave të shoqërisë për të ndalur dhunën dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat e rinj. “Bashkë mund ta ndalojmë dhunën. Çdo zë ka rëndësi, çdo veprim bën ndryshim,” u shpreh ai, duke falënderuar të gjithë të pranishmit për mbështetjen dhe kontributin e tyre.