“Jehona e Malësisë”: Ne jemi mirë kur asht mirë Shqipëria – Ne jemi mirë kur asht mirë Malësia!
Pas ditës historike për Malësinë dhe kombin shqiptar, vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Tuz, anëtarët e Shoqatës “Jehona e Malësisë”, kanë vijuar me aktivitete të ndryshme, të lidhura ngushtë me zhvillimin e Malësisë dhe shqiptarëve në komunën e Tuzit dhe shqiptarëve në Malin e Zi.
“Jehona e Malësisë”, e prirë nga kryetari i saj, Agron Dedivanaj, zhvilloi takime të ndryshme dhe aktivitete, të cilat Malësisë dhe shqiptarëve, në këtë kohë ju nevojiten shumë, përkujdesjen për personat me nevoja të veçanta, arsimin në veçanti arsimimin në gjuhën shqipe, pushtetin lokal të Tuzit, marrëdhëniet e reja në tjetër nivel me komunën e cila do të shtoj aktivitetet lidhur me diasporën, etj.
Lidhur me këto aktivitete të shumta, në postimin të e publikuar nga Shoqata “Jehona e Malësisë”, vlerësohet puna artistike e skulptorit Ardian Pepa dhe Dylber Neziri, të cilët e përjetësuan në mënyrë madhështore, Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Postimi i plotë:
Me krenari të madhe morëm pjesë në përurimin e përmendores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Tuz, një simbol i përhershëm i bashkimit dhe fitores kombëtare. Ky moment historik i dha një frymë të re unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare, duke shënuar një kapitull të ri për identitetin, gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare.
Delegacioni i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, i udhëhequr nga kryetari Agron Dedivanaj, zhvilloi një sërë takimesh të frytshme, përfshirë:
• Vizitë në Qendrën Ilios, që mbështet fëmijët me nevoja të veçanta.
• Takim me drejtorin e gjimnazit të Malësisë për përmirësimin e kushteve arsimore.
• Takim zyrtar me kryesinë e Komunës së Tuzit, ku u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer me diasporën, ecuritë mbi krijimin e Sekretariatit për Diasporën dhe projektet e reja në vijim.
• Bisedime me ministren e arsimit për përmirësimin e sistemit arsimor në gjuhën shqipe dhe kërkesën që kemi dërguar më parë për ndryshimin e emrave nënçmues të institucioneve arsimore në Trojet Shqiptare nën Mal të Zi, duke filluar nga shkolla e mesme në Tuz.
Kryetari Dedivanaj mbajti gjithashtu një fjalim përshëndetës me rastin e Ditës së shkollës fillore në Dinoshë.
Morëm pjesë në organizime festive dhe komemorative, si shënimi i Ditës së Flamurit në Tuz, organizuar nga Koha e Dinoshës, dhe në shumë takime e diskutime me bashkatdhetarë nga diaspora, vendi dhe trevat tjera shqiptare.
Duam gjithashtu të bëjmë një falënderim të veçantë për skulptorët e projektit të përbashkët të përkujtimores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ardian Pepa dhe Dylber Neziri, të cilët me profesionalizëm dhe saktësi të madhe përfunduan këtë vepër arti në një kohë rekord. Kjo vepër është një simbol i atdhedashurisë, qëndresës dhe krenarisë kombëtare për ne. Krenaria e jonë që ishim pjesë e realizimit është enorme.
Ardiani, qysh në kontaktin e parë, tregoi se është njeri dhe artist i jashtëzakonshëm, duke punuar me përkushtim të madh dhe duke mbështetur procesin deri në përfundimin e vizionit të përbashkët të shprehur mjeshtërisht nga skulptorët.
Përherë do të jemi falënderues jo vetëm për shkathtësinë tuaj si artist, por edhe për korrektësinë, bashkëpunimin dhe dashamirësinë. Krijimi i buxhetit në një kohë rekord, gatishmërinë për të konsideruar edhe inkorporuar edhe vizionin tonë, saktësinë në çdo pjesë të procesit duhet përmendur sepse ju nderuat veten dhe neve!
Faleminderit!
Ne do të vazhdojmë me përkushtim dhe angazhim për realizimin e idealeve tona kombëtare dhe për zhvillimin e vendlindjes sonë.
Ne jemi mirë kur asht mirë Shqipëria – Ne jemi mirë kur asht mirë Malësia!
Shoqata “Jehona e Malësisë”
Malësi, nëntor 2024