“Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet” – Alternativa takon strukturat në Hasanbeg të Komunës së Gazi Babës

Sot, Alternativa, nën moton “Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet”, takoi strukturat e Hasanbegut të Komunës së Gazi Babës.
Në këtë takim na nderoi me pjesëmarrjen e tij kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, si dhe funksionarë të lartë partiakë dhe në ekzekutiv.
Në takim me strukturat u shtruan disa çështje me rëndësi, siç janë llogaridhënia për punët e kryera deri tani, transparenca në çdo vendim që është marrë nga Alternativa si pjesë e qeverisë në kuadër të koalicionit VLEN, si dhe arritjet e qeverisë gjatë kësaj periudhe.

Fjalë përshëndetëse patën kryetari i Degës, Mumin Aliu, zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiku Shaini, deputetja e Kuvendit, Imerlije Saliu, Sekretari i Përgjithshëm, Amir Elezi, kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, si dhe kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.

Afrim Gashi, në fjalën e tij, tha:
“Ju faleminderit të gjithëve për gjithë mbështetjen, sepse pa mbështetjen tuaj nuk do të mund të arrinim asgjë. Gjuha shqipe dhe çështjet e tjera kombëtare të shqiptarëve janë të betonuara dhe mund të avancohen vetëm përpara. Kthim prapa nuk ka! Interes ndërkombëtar, rajonal dhe kombëtar është që të ruajmë stabilitetin. Prandaj, rrini të qetë – ata le ta bëjnë punën e tyre, sepse janë opozitë.”

Në fund, Gashi dha porosi për funksionarët:
“I lus të gjithë funksionarët që t’i dëgjojnë votuesit. Ne e kemi obligim që të sillemi ndryshe në pushtetin qendror. Ne nuk duhet të bëjmë dallime në popullatë.”

Në fund të takimit, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, iu drejtua të pranishmëve, duke thënë:
“Duhet t’i kujtoj disa gjëra që janë motivuese për të rinjtë këtu, por edhe për të tjerët. Sot është data 8 dhjetor. Në këtë datë, në vitin 2013, Afrim Gashi doli kundër Car Dushanit. Atëherë askush nuk besonte se këta djem do të bëheshin kryetarë Kuvendi. Kjo është një mësim për të rinjtë: nëse kanë ideale dhe i qëndrojnë besnikë atyre idealeve, atëherë suksesi vjen. Në fillim të përqeshin, pastaj të përbuzin, pastaj të shajnë, në fund të luftojnë dhe e kuptojnë se e kanë humbur luftën.”

Më tej, Ibrahimi tha:
“Arsyeja e këtyre takimeve është për të dëgjuar zërin e popullatës, për të parë se sa kemi qenë të përkushtuar dhe të suksesshëm, dhe sa mund të bëhej më mirë. Unë shpesh e përdor një thënie: e keqja dhe e mira nuk kanë fund. Por duhet thënë se shumë punë që i kemi bërë gjatë kësaj periudhe të shkurtër, ata që qëndrojnë në tenda nuk i kanë bërë për 22 vite.

Përfaqësimi i shqiptarëve në pushtet nuk është rrezikuar fare. Ne nuk bëjmë politikë me njerëzit, por bëjmë politikë për njerëzit.

Duke qenë se çështja e gjuhës është aktuale, unë ju them me përgjegjësi të lartë se nuk do të ketë aspak dëmtim të saj. Por dua të them se Ali Ahmeti nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim për këto 22 vite. Ata që nuk e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe, në mars të këtij viti votuan për ligjin e gjuhës maqedonase.

Në qeveri bëheshin patriotë, ndërsa në opozitë bëhen frikacakë që nuk i njeh as nëna.”

Alternativa mbetet e përkushtuar që në çdo vendim dhe proces të jetë transparente dhe llogaridhënëse, duke ofruar një model të ri të qeverisjes!

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights