KF Shkëndija mbyll gjysmësezonin me darkë të përbashkët dhe nis pushimin dimëror
KF Shkëndija përmbylli dje gjysmësezonin vjeshtor në Ligën e Parë të Maqedonisë me një barazim 0:0 në ndaj Gostivarit në Tetovë. Rezultati na çon në pushimin dimëror në ndarje të vendit të parë me Sileksin dhe Rabotniçkin, të gjitha me nga 37 pikë pas 18 ndeshjeve (kuqezinjtë kanë ecuri prej 10 fitore, 7 barazime dhe vetëm 1 humbje).
Pas përfundimit të ndeshjes, skuadra zhvilloi darkën tradicionale të fundvitit, ku morën pjesë lojtarët, stafi teknik, kryesia, administrata, trajnerët e moshave të reja dhe anëtarët e klubit. Mes tjerash, presidenti Zamir Dika falënderoi lojtarët dhe të gjithë të pranishmit për kontributin e dhënë dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij sezoni, duke shprehur besimin e tij për ecurinë e klubit dhe kurrorëzimit me titullin kampion në fund të sezonit.
Gjatë kësaj mbrëmjeje festive, u bë një nderim i veçantë për kapitenin Besart Ibraimi, të cilit iu dorëzua një fanellë e futur në kornizë me numrin “200+” – një simbolikë për rekordin e tij të jashtëzakonshëm. Në vitin 2024, Ibraimi kaloi kufirin e 200 golave në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke qenë golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit (210 gola deri tani).
Me mirënjohje u nderua gjithashtu komesari i sigurisë, Rexhep Luma, i cili ka mbi 35 vite shërbim në klub dhe është një nga figurat më jetëgjata dhe të përkushtuara të KF Shkëndijës.
Pas kësaj mbrëmjeje të veçantë, lojtarët nisën pushimin dimëror të merituar, i cili do të zgjasë deri më 2 janar, kur skuadra do të rikthehet për përgatitjet e sezonit pranveror.
Falënderojmë të gjithë tifozët për mbështetjen e tyre të palodhur dhe ju urojmë pushime të mbara të fundvitit!