Në tre vjet në Shqipëri u vranë 32 gra

Në Shqipëri, në tri vitet e fundit, gjatë periudhës 2021/2023, janë vrarë 32 gra, nga të cilat 90% e këtyre vrasjeve janë kryer nga partnerët intimë (27), ndërsa pjesa tjetër nga anëtarët e familjes, thuhet në raportin e parë për vrasjet e grave dhe vajzave dhe femicidit në Shqipëri për periudhën e përmendur.

Raporti, i realizuar nga Avokati i Popullit, me mbështetje nga UN Women, tregon se 24 nga këto raste janë identifikuar si femicid, të cilat, ndryshe nga vrasjet e zakonshme, janë të përcaktuara si vrasje të grave ose vajzave për shkak të gjinisë së tyre. Pothuajse 60% e rasteve të femicidit kanë ndodhur në shtëpinë e viktimës.

Avokati i Popullit, Erinda Balanca, gjatë prezantimit të raportit theksoi se “femicidi është kulmi i një sërë dhunash dhe diskriminimesh që gratë përjetojnë çdo ditë”.

“Në Shqipëri, ky fenomen është një problem shoqëror që kërkon një përgjigje të fuqishme dhe të vazhdueshme nga çdo institucion dhe individ. Duhet të kuptojmë se femicidi nuk është vetëm çështje e viktimës. Ky është një problem që na ndikon të gjithëve. Çdo grua që vdes nga dhuna është një dështim i shoqërisë, institucioneve dhe arsimit tonë për barazi dhe respekt të ndërsjellë. Ky është një çështje që kërkon veprime urgjente dhe të koordinuara nga të gjithë,” tha ajo.

Disa nga rekomandimet kryesore të përfshira në këtë raport janë “njohja e femicidit si një vepër penale të veçantë në Kodin Penal të Shqipërisë”, si dhe “përmirësimi i koordinimit midis organeve të zbatimit të ligjit, shërbimeve sociale dhe sistemit gjyqësor për të siguruar mbrojtje efektive për gratë në rrezik”.

Raporti zbulon se 90% e viktimave të femicidit kishin përjetuar dhunë nga autorët e tyre, duke theksuar se shenjat e paralajmërimit të hershëm shpesh shfaqen në forma të ndryshme dhune dhe abuzimi. Kjo thekson nevojën kritike për veprime të menjëhershme dhe përgjigje të forta për mbrojtjen e grave dhe vajzave.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights