Koalicioni i partive shqiptare VLEN dënon ashpër retorikën nxitëse dhe polarizuese të cilën vazhdon ta përdorë BDI, e që për qëllim të vetëm ka të mbulojë skandalet korruptive

Thirrjet për radikalizim në secilën paraqitje publike të tyre duke filluar nga lideri e deri te aktivisti më i thjeshtë, komunikatat me përmbajtje antagoniste dhe përplot urrejtje ndëretnike, skenarët për destabilizim siç ishte “roja e gjuhës” e që u dëshmua një kauzë joekzistuese, nuk janë asgjë më shumë sesa tentime të dëshpëruara të kësaj strukture të korruptuar politike për të mbuluar turpin dhe kompromentimin me etnonacionalizëm.  Retorika e këtillë por edhe sjellja anarkiste e tyre qartazi janë të frymëzuara nga politikani i preferuar i tyre Nikolla Gruevski i cili në vitin 2016 refuzonte të shkonte në opozitë dhe kërcënonte shtetin me “Natën e thikave të gjata” – aksionin famëkeq të Hitlerit për të eliminuar të gjithë kundërshtarët e tij politikë.
Është dëshpëruese për opinionin vendor por sidomos për partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë – SHBA, NATO, BE, OSBE, që një parti politike e cila që nga themelimi ka promovuar pajtimin, stabilitetin, tejkalimin e ndasive dhe integrimin evropian, sot është kthyer në organizatë parapolitike nxitëse të konflikteve, të mosdurimit etnik, të shpërfilljes së institucioneve dhe shkeljes së ligjit.  Pyesim publikisht:  cila është fytyra e vërtetë e BDI-së?  Ajo e politikave të moderuara dhe tolerancës, apo kjo e sotmja, e kërcënimeve, e urrejtjes, dhe çorroditjes së plotë shkaku i humbjes së pushtetit?  A është BDI-ja partia e cila proklamonte se “Maqedonia është po aq e shqiptarëve sa edhe e maqedonasve”, ose është BDI-ja kjo e sotmja që urren, lufton dhe tenton të shkelë ndaj çdokujt që përpiqet t’i tregojë se edhe opozita ka rol të rëndësishëm në shoqëritë demokratike?  Pyesim publikisht:  a nuk u vjen turp funksionarëve të deridjeshëm shtetërorë, përfshirë një ish Kryeministër, një ish Ministër të jashtëm, një ish Ministër të financave, e shumë e shumë të tjerë, që mandatet i kanë harxhuar për t’u pasuruar dhe jo për të zgjidhur çështjen e hapur të gjuhës shqipe dhe sot, pa pikë turpi çirren për gjuhën, kombin e gjakun?
Koalicioni VLEN bën thirrje tek qytetarët të mos bien në kurthin e manipulimeve politike të BDI-së.  Shqetësimi i vetëm i tyre është zbulimi i korrupsionit marramendës të zyrtarëve të lartë dhe ish funksionarëve qeveritarë.  Lista e zezë amerikane e bëri të qartë lidhjen vëllazërore mes Ali Ahmetit e Artan Grubit dhe Nikolla Gruevskit e Sasho Mijallkovit.  Pikërisht kjo është arsyeja e vërtetë përse janë të shqetësuar dhe të frikësuar zyrtarët e lartë të BDI-së.  Ora e përgjegjësisë po afron.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights