Luksemburgu është shteti i vetëm në BE ku gratë paguhen më shumë se burrat
Hendeku gjinor midis të punësuarve në gjithë Evropën vazhdon të jetë i konsiderueshëm në favor të burrave, si në aspektin e pagave, ashtu edhe në pabarazinë në qasjen ndaj punës, avancimit dhe shpërblimeve.
Sipas të dhënave të Eurostatit, burrat në BE mesatarisht fitojnë 12.7% më shumë se gratë, me Luksemburgun që është shteti i vetëm ndër vendet anëtare të Bashkimit Evropian ku pagat mesatare të grave janë më të larta se ato të burrave me 0.7%.
Hendeku më i madh gjinor në paga në favor të burrave është në Estoni, ku arrin 21.3%, pasuar nga Austria me 18.4% dhe Çekia me 17.9%. Në Gjermani, diferenca në pagat mes gjinive është 17.7%, ndërsa në Francë 13.9%.
Hendeku më i vogël gjinor në paga, nën 5%, është në Itali me 4.3%, Rumani me 4.5% dhe Belgjikë me pothuajse 5%.
Nga vendet e rajonit, diferenca më e madhe në paga midis gjinive është në Bullgari me 13%, e cila është gjithashtu mbi mesataren e BE-së, ndërsa në Kroaci është 12.5%, në Greqi 10.4%, dhe në Slloveni 8.2%.
Reduktimi i hendekut gjinor në paga është për vite me radhë një nga prioritetet e BE-së, një qëllim që sipas të dhënave statistikore po arrihet, por me ritme të ngadalta. Kështu, në vitin 2012, diferenca ishte 16.4%, ndërsa në vitin 2022 ishte 12.7%, që përfaqëson një ulje prej 3.7 pikë përqindje.
Përveç kësaj, në periudhën e përmendur në pesë vende hendeku madje është rritur, me 3.7 pikë përqindje në Slloveni, 2.2 në Letoni, 1.4 në Poloni, 0.7 në Maltë dhe 0.1 pikë përqindje në Lituani. Nga ana tjetër, ulja më e madhe e hendekut ka ndodhur në Spanjë me 10 pikë përqindje, përpara Estonisë me 8.6, Luksemburgut me 7.7, Qipros me 5.4 dhe Gjermanisë dhe Holandës me nga 5.0 pikë përqindje. Në vendet e tjera, hendeku gjinor në paga është ulur për më pak se 5%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se hendeku gjinor është më i madh në sektorin privat sesa në atë publik në BE, ku në pesë vende është mbi 10 pikë përqindje. Përjashtim bëjnë vetëm tre vende – Portugalia, ku hendeku është më i madh në sektorin publik sesa në atë privat me 1.4 pikë përqindje, Sllovenia me 0.7 dhe Finlanda me 0.5 pikë përqindje.
Sipas Eurostatit, hendeku më i vogël në sektorin publik ndoshta është për shkak të faktit se pagat aty zakonisht përcaktohen me sistematizime që vlejnë njësoj për burrat dhe gratë.
Hendeku gjinor më i madh në paga në sektorin publik është në Hungari me 16.1%, para Finlandës me 15.9% dhe Letonisë me 15.3%. Qipro është i vetmi shtet në BE ku gratë në sektorin publik fitojnë më shumë se burrat me 0.2%, pasuar nga Polonia me 1.0% dhe Belgjika me 1.2% paga më të larta për burrat në administratë.
Hendeku më i madh gjinor në sektorin privat është në Çeki me 20.5%, para Gjermanisë me 19.9% dhe Qipros me 19.5%. Në rastin e Gjermanisë, këto të dhëna tregojnë se për të njëjtën kohë pune për të cilën burrat fitojnë 100 euro, gratë fitojnë diçka më shumë se 80 euro. Diferenca më e vogël në paga midis gjinive në sektorin privat është në Belgjikë me 8.1%, para Rumanisë me 8.6% dhe Suedisë me 9.9%.
Sipas Komisionit Evropian, disa nga arsyet kryesore për hendekun gjinor në paga në BE janë ndarja sektoriale, që do të thotë se gratë janë shumica në sektorë me paga relativisht të ulëta, si kujdesi, shëndetësia dhe arsimi, si dhe fakti që gratë më shpesh punojnë me orar të shkurtuar në krahasim me burrat.
Përveç kësaj, diferenca vjen edhe nga fakti që burrat përgjithësisht mbajnë pozita më të larta drejtuese se gratë. Kështu, në vitin 2021, vetëm 35% e menaxherëve në BE ishin gra.
Në të gjitha vendet e BE-së, shumica e menaxherëve ishin burra, ndërsa pjesa më e madhe e grave në pozita drejtuese ishte në Letoni me 46%, përpara Polonisë dhe Suedisë me nga 43%. Pjesa më e vogël e grave menaxhere ishte në Qipro me 21%, përpara Luksemburgut me 22% dhe Holandës me 26%.
Nga ana tjetër, të dhënat statistikore tregojnë gjithashtu se, megjithëse paguhen më pak, gratë janë mesatarisht më të arsimuara se burrat. Kështu, në vitin 2022, mesatarisht 37.1% e grave në BE kishin arsim të lartë, ndërsa tek burrat kjo përqindje ishte 31.4%. Përjashtim bëjnë vetëm Gjermania dhe Austria, ku ka më shumë burra me arsim universitar sesa gra.
Megjithatë, edhe pse janë më të arsimuara, gratë në BE janë më pak të punësuara, me një normë punësimi prej 83.6%, krahasuar me 88.9% të burrave.
Norma e punësimit të burrave në BE është më e lartë se ajo e grave në të gjitha vendet e BE-së, me një diferencë mesatare prej 9.8 pikë përqindje. Kjo diferencë është më e larta në Greqi me 19.1 pikë përqindje, përpara Italisë me 18.1 dhe Rumanisë me 17.1 pikë përqindje. Në vendet e tjera anëtare të BE-së, diferenca është nën 15 pikë përqindje, me më të ulëtën në Lituani me 0.3, Finlandë me 0.8, Estoni me 2.2 dhe Letoni me 2.3 pikë përqindje.