Deputetët do të diskutojnë për interpelancat kundër Mexhiti, Stoilkoviq, Tashkovski, Iseni dhe Dauti
Deputetët do të diskutojnë për interpelancat kundër Mexhiti, Stoilkoviq, Tashkovski, Iseni dhe Dauti
Kuvendi sot pritet të fillojë seancën e 29-të, ku në rend të ditës janë pesë interpelanca. Katër interpelanca janë paraqitur nga deputetë të Frontit Evropian kundër punës së zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq, ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Tashkovski dhe zëvendësit të tij Astrit Iseni nga BDI. Interpelanca e pestë është paraqitur nga Levica për punën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti.
Shumica e partive parlamentare, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, nuk do t’i pranojnë interpelancat e paraqitura kundër katër ministrave aktualë të qeverisë, ndërsa për interpelancën e Dautit kanë deklaruar se qëndrimi do të ndërtohet para seancës sot. Megjithatë, thonë se edhe nëse kalon interpelanca për të, Fronti Evropian mund ta propozojë përsëri dhe Dauti të jetë sërish kryetare e Komisionit.
Shumica e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, deputetët e koalicionit Vlen, LSDM dhe Levica do të votojnë kundër katër interpelancave të paraqitura pas ngjarjeve në festimin e Ditës së Flamurit Shqiptar.