Edhe Qipro së shpejti në Shengen: Presidenti thotë se po finalizojnë detajet teknike
Qipro deri në fund të këtij viti do t’i zgjidhë të gjitha çështjet teknike të nevojshme për hyrjen në zonën Shengen, deklaroi sot presidenti qipriot, Nikos Hristodulidis.
Qipro dhe Irlanda, të cilat nuk kanë kufij tokësorë me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, janë të vetmet anëtare të BE-së jashtë zonës Shengen, pasi Rumania dhe Bullgaria u bënë anëtare të plotë më 1 janar.
“Diskutuam për të gjitha problemet politike që lidhen me vijën e armëpushimit dhe tani po finalizojmë detajet teknike të nevojshme për anëtarësimin në Shengen,” tha Hristodulidis në Nikosia, raporton Politico.
Ai theksoi përfitimet që anëtarësimi në Shengen do t’i sjellë Qipros, veçanërisht në turizëm dhe investime, dhe vuri në dukje se një ekip në Ministrinë e Punëve të Jashtme po ndjek procesin e anëtarësimit.
Qipro është një rast unik, pasi ishulli u nda në vitin 1974 midis Republikës së Qipros në jug dhe veri, i cili u pushtua nga Turqia. Nëse Qipro hyn në Shengen pa zgjidhur problemin, Linja e Gjelbër, aktualisht zonë tampon, do të bëhet një kufi i fortë i jashtëm i BE-së.