Bashkimi Demokratik për Integrim dënon me ashpërsi aktin e papranueshëm të talljes dhe satirizimit të tentativës për vrasje ndaj Ziadin Selës

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon me ashpërsi aktin e papranueshëm të talljes dhe satirizimit të tentativës për vrasje ndaj Ziadin Selës, i cili ndodhi gjatë Karnevalit të Vevçanit. Kjo është një shkelje e rëndë e dinjitetit njerëzor dhe një provokim i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin shoqëror.
Është e paimagjinueshme që një ngjarje kaq serioze, që ka tronditur shumë qytetarë dhe që ka lënë pas pasoja të rënda për jetën e individëve, të përdoret si objekt talljeje dhe urrejtjeje në një aktivitet publik. Pavarësisht se ky akt ka ndodhur para syve të institucioneve dhe opinionit, askush nuk ka reaguar, nuk ka dënuar dhe nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar normalizimin e urrejtjes dhe dhunës.
Ndërkohë që shqiptarët dhe grupet e tjera etnike dënohen për aktivitete paqësore dhe kulturore, individë të caktuar në Vevçan e përdorin këtë karneval për të shpërndarë mesazhe të urrejtjes dhe dhunës. Kjo është një formë e papranueshme e ngacmimit dhe nxitjes së ndarjeve etnike dhe sociale.
BDI kërkon reagim të menjëhershëm dhe të fuqishëm nga të gjitha institucionet përkatëse, që të sigurohet se akte të tilla të shëmtuara nuk do të tolerohen dhe as nuk do të kalojnë pa dënim. Ne nuk mund të lejojmë që urrejtja dhe dhuna të jenë pjesë e kulturës sonë shoqërore, e as të përdoren për qëllime politike ose për ndjenjat e ngushta etnike.
Përkundrazi, duhet të promovojmë vlerat e bashkëjetesës dhe respektit reciprok, duke u angazhuar të gjithë së bashku për një shoqëri të barabartë dhe paqësore.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights