Dodik: Nëse Amerika mund t’i marrë Grenlandën dhe Kanadanë, RS mund të bashkohet me Serbinë
Në një intervistë për degën ballkanike të televizionit propagandistik rus Russia Today, me seli në Beograd, përveçse shprehu besnikërinë e tij ndaj Vladimir Putin-it, Dodik e shfrytëzoi mundësinë për të hapur çështjen e kufijve në tokën evropiane dhe përsëri promovoi idenë e tij të vjetër për shkëputjen e RS (Republika Sërpska) nga Bosnja dhe Hercegovina dhe bashkimin e saj me Serbinë.
Ai tha se kufijtë ekzistues nuk janë një “lopë e shenjtë”, duke iu referuar mënyrës se si u njoh pavarësia e shteteve të tanishme të krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë.
“Nëse amerikanët thonë se ajo nuk ishte shkëputje me sllovenët dhe kroatët, por një fakt real në terren, a nuk ishte edhe RS një fakt i vërtetë në terren? Pse na kthyet në atë marrëzi të quajtur BiH (Bosnja dhe Hercegovina)? Nëse mund të jenë Grenlanda dhe Kanadaja, nëse mund të jenë Gjermania Lindore dhe Perëndimore, pse tani RS nuk mund t’i bashkohet Serbisë,” deklaroi Dodik, duke shtuar se Rusia ka të drejtë mbi Ukrainën.
Nëse Putini nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën, pretendon lideri i serbëve të Bosnjës, Rusia do të ishte shpërbërë në disa shtete më të vogla, të cilat do të ishin marrë nga kompani multinacionale.
“Por ata nuk llogaritën faktin se ekziston Putini, i cili ka mbështetjen e popullit dhe mjaftueshëm vendosmëri,” përfundoi Dodik.