Paratë nga huaja hungareze të destinuara për kompanitë, sot në Qeveri
Në seancën e qeverisë, sot pritet të kalojë marrëveshja për fondet nga huaja hungareze të destinuara për kompanitë. Qeveria pret që e gjithë procedura të përfundojë deri në fund të muajit. Pasi të kalojë marrëveshja në Qeveri, do të duhet të nënshkruhet një kontratë me bankat dhe kështu, paratë do të bëhen praktikisht operacionale për sektorin e biznesit.
Kompanitë do të duhet të kenë një pjesëmarrje minimale prej 20 për qind të kapitalit të tyre, ndërsa shuma maksimale që mund të marrin është 10 milionë euro. Kompanitë do t’i marrin paratë me një normë interesi prej 1,95 për qind, një periudhë të lehtësuar prej tre vjetësh dhe një afat kthimi prej 12 vjetësh.
Paratë fillimisht duhej të ishin operacionale deri në fund të vitit të kaluar, por procesi u vonua dhe shkaku për këtë, sipas autoriteteve, është zgjerimi i gamës së kompanive që mund të aplikojnë për të marrë fonde nga huaja hungareze. Praktikisht tani, përveç për kapacitete të reja prodhuese dhe pajisje të reja, fondet nga huaja hungareze do të mund të ndahen gjithashtu për burime të ripërtrishme të energjisë, si dhe për objekte që kompanitë do t’i përdorin si ndërtesa administrative.
Kryeministri, Kristian Mickoski, javën e kaluar në një deklaratë për mediat i bëri thirrje kompanive që të përgatisin projekte dhe të aplikojnë për të marrë kredi nga bankat komerciale.
– Analiza tregon se kërkesa për huamarrje nga operatorët ekonomikë është 250 milionë euro në vit. Nëse i kufizoni mundësitë, atëherë kufizoni edhe operatorët ekonomikë dhe mund të ndodhë që nga këto 250 milionë euro të përdoren vetëm 120, 150 ose 180 milionë euro, dhe pjesa tjetër të mbetet. Për këtë arsye, duam të zgjerim gjithçka që ka një impakt pozitiv në PBB dhe në ekonominë e Maqedonisë. Por tani gjithçka është e definuar, është mbyllur, përmbajtja e marrëveshjes është e gatshme, deklaroi Mickoski gjatë vizitës në komunën e Petrovecit.
Nga huaja hungareze, 250 milionë euro janë të destinuara për kompanitë. Marrëveshja për kreditin prej 500 milionë eurosh, në emër të Qeverisë, u nënshkrua më 8 tetor në Budapest nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Kochovska, me Bankën Hungareze të Eksportit dhe Importit.