Pas Vučeviçit, dorëheqje dha edhe Gjuric, kryetari i Novi Sadit
Kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuric, më 28 janar, të martën, dha dorëheqje të pakthyeshme.
Dorëheqja pasoi sulmin ndaj studentëve në Novi Sad, të cilët u sulmuan dhe u rrahën nga një grup burrash me shkopinj bejzbolli kur studentët po ngjitnin ngjitëse dhe vizatonin shabllone nëpër Novi Sad.
Një student ka pësuar lëndime të rënda dhe është në Qendrën e Urgjencës.
“Si dikush që beson në fuqinë e dialogut dhe kuptimit të ndërsjellë, besoj se pranimi i përgjegjësisë dhe dorëheqja është detyra ime njerëzore dhe politike, si dhe një obligim moral”, thuhet në deklaratën e Gjuric.
Ai e ftoi policinë që sa më shpejt të zbulojë sulmuesit e studentit dhe organet e drejtësisë t’i ndëshkojnë ata sipas ligjit.
“Stabiliteti dhe qetësimi i tensioneve dhe ndalimi i përçarjeve të mëtejshme në shoqëri janë kushte kyçe për përparimin dhe zhvillimin e Novi Sadit dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Novi Sadit”, thuhet gjithashtu në deklaratën e Gjuric.
Një orë më parë dorëheqjen e dha edhe kryeministri i Serbisë, Miloš Vučević.
“Kryetari i Novi Sadit dhe unë e konsiderojmë veten përgjegjës objektivisht për atë që ndodhi në Novi Sad dhe për këtë ne e paguajmë politikisht këtë çmim”, tha Vučeviç në një konferencë shtypi.