Qytetarët ankohen për çmimet e larta të shërbimeve të gastronomisë

Qytetarët ankohen për çmimet e larta të shërbimeve të gastronomisë
Çmimet e shërbimeve të gastronomisë janë në rritje të vazhdueshme. Inflacioni, rritja e shpenzimeve dhe pagat më të larta të punonjësve në këtë sektor janë faktorët kryesorë të shtrenjtimit. Në qendrën kryesore turistike të vendit, çmimi i një kafeje varion nga 120 deri në 250 denarë, në varësi të afërsisë me liqenin, shërbimit dhe ambientit, ndërsa në lokalet jashtë qendrës çmimet janë dukshëm më të ulëta.
Më të zëshëm për çmimet e larta në kafenetë dhe restorantet janë banorët e Ohrit, shpesh kritikojnë edhe turistët vendas, por për mysafirët e huaj çmimet konsiderohen të arsyeshme.
“Kemi çmime shumë të larta, për dallim nga Selaniku ku kafeja kushton dy deri në dy euro e gjysmë, këtu është njësoj ose edhe më shtrenjtë.”
“Janë të shtrenjta, janë të shtrenjta. Kafeja në Ohër është më e shtrenjtë se në Zagreb,” – thonë qytetarët e anketuar.
“Tre deri në katër euro për një kafe, po aq kushton edhe në Londër, që do të thotë e njëjta gjë, por duhet të them se pamja është e mrekullueshme dhe ia vlen të paguash 3-4 euro për të,” – tha një turiste e huaj.
Përfaqësuesit e gastronomisë theksojnë se çmimet përputhen me nivelin dhe cilësinë e shërbimit. Ata thonë se në Ohër ka çmime reale dhe të përballueshme, por në disa lokale janë më të larta.
“Do të jem i sinqertë dhe do të them se ka lokale që kanë çmime më të larta se të tjerat, por ka edhe lokale me çmime shumë të arsyeshme si për ushqim ashtu edhe për pije, për të gjitha segmentet e gastronomisë. Kjo është relative dhe varet nga shumë faktorë që përcaktojnë çmimin,” – tha Çelik Asim, gastronom.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, shërbimet e gastronomisë në janar të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, janë shtrenjtuar me 5.8%. Po ashtu, ka një rritje prej 0.2% krahasuar me muajin e mëparshëm.