Vulat e ASH-së, Fetai: Kemi informacione se gjykatësi mori para për vendimin e fundit
![](https://i0.wp.com/kohanews.com/wp-content/uploads/2024/12/arben-fetai.jpeg?resize=780%2C470&ssl=1)
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka reaguar në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës Themelore të Tetovës, e cila solli një vendim jo të drejtë, ku vendosën në të mirë të Ziadin Selës. Zëvendëskryeministri Fetai, ka thënë se e para e punës vulat nuk janë kthyer askund, vulat kanë mbetur aty ku janë te Arben Taravari në Aleancën për Shqiptarët. Për Fetain vendimi ka qenë i pritur dhe nuk ka qenë një risi një vendim i tillë i Gjykatës Themelore të Tetovës.
“Ta keni parasysh se vendimi nuk është përfundimtar, para kësaj kishte një vendim të Gjykatës së Apelit në Gostivar të cilën ne e fituam dhe lënda u rikthye aty ku kishte filluar në Gjykatës e Tetovës në të njëjtin gjykatës i cili quhet Ilir Rexhepi. Për të cilin na kanë ardhur informata që ka pranuar para nga pala tjetër për të sjellë të njëjtin vendim. Kjo nuk është befasi, është lojë ping-pongu me një gjyqësor të kapur. Gjyqësori i kapur veç më konfirmohet nga të gjithë burimet ndërkombëtare, dje kishim edhe raportin e fundit të Transparency Intrenational, për perceptimin dhe korrupsionin në vendin tonë. Ku ne kemi shënuar regres për 12 vende, siç thash edhe dje, jemi diku në mes të Kazakistanit dhe Surinamit. Arsyet për këtë regres të madh që e kemi në vitin e fundit ka të bëjë me qasjen në sektorin e drejtësisë. Vërejtjet e Transparency International e thonë atë që e kemi thënë ne në vazhdimësi, që Gjyqësori jonë është i kapur”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Fetai.
Fetai ka shtuar se Këshilli Gjyqësor është jofunksional, është i korruptuar, janë bërë emërime të njerëzve të politikës që kanë dalë nga Akademia për Gjykatës dhe Prokuror në mesin e fushatës zgjedhore. Sipas tij, këto japin pasqyrën e saktë të gjendjes së sistemit të drejtësisë dhe i vërtetojnë të gjitha tezat tona përfshirë edhe lëvizjet e fundit që jemi duke i bërë me interpelancën për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të votuar nga përbërja paraprake.
“Përshirë dje edhe nismën për shkarkimin e kryeprokurorit të vendit sepse ky sistem i drejtësisë siç e dimë ka humbur çdo lloj kredibiliteti, çdo lloj legjitimiteti dhe duhet të reformohet në tërësi në mënyrë që të mos na përsërit më situata si kjo e tanishme ku njerëz brenda sistemit dhe Gjykatës të caktuar marrin para nga palët dhe shkruajnë vendime të cilat realisht nuk janë shkruar as në gjykatë por janë shkruar në zyra të partive politike. Dua të theksoj për fund se kjo nuk është asnjë risi, e kemi pritur se i njëjti gjykatës do të sjellë të njëjtin vendim, nuk është vendim përfundimtar, fjalën përfundimtare e thotë përsëri Gjykata e Apelit në Gostivar. Ku nuk kam më të voglin dyshim se nuk do të fitoj pala jonë në këtë rast dhe vulat do të mbesin aty ku e kanë vendin te Arben Taravari në Aleancën për Shqiptarët dhe te anëtarësia e Aleancës për Shqiptarët”, ka thënë Fetai.