DR. SELVER XHEMAILI NGA USHTRUES DETYRE U ZGJODH MYFTI I MYFTINISË SË BFI – TETOVË
![](https://i0.wp.com/kohanews.com/wp-content/uploads/2025/02/477176338_122137964978461209_1030765572021110021_n.jpg?resize=780%2C470&ssl=1)
Në mbledhjen e Rijasetit të BFI e RMV-së, të mbajtur më datë 11.02.2025, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili unanimisht u zgjodh Myfti i Myftinisë së Tetovës me të cilën zgjedhje tashmë është me pozicion të plotë të Muftiut.
Nga Muftinia e Tetovës u propozuan tre kandidatë edhe atë:
– Dr. Selver Xhemaili – u.d. Myfti i Tetovës,
– Mr. Musanif Rufati- Drejtor për Shkencë dhe Kulturë në Rijasetin e BFI dhe
– Rexhep Vejseli – Përgjegjës i financave në Myftininë e Tetovës si dhe imam shumëvjeçarë në fshatin Zhelinë.
Pas njoftimit të biografisë së kandidatëve sipas procedurës së zgjedhjes së Myftiut për Myfti i BFI – Tetovë, Reisul Ulema hodhi në votim emrat e propozuar. Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, me vota të hapura dhe në mënyrë unanime, zgjodhi për Mufti të Muftinisë së Tetovës Dr. Hfz. Selver ef. Xhemailin.
Pas votimit dhe zgjedhjes së Muftiut Dr. Selver ef. Xhemaili, ai dha betimin para Rijasetit dhe nga Reisul Ulema iu dorëzua Muraseleja.
Në përfundim, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai
“Fillimisht, më lejoni të falënderoj të gjithë kandidatët e propozuar, duke ju dëshiruar suksese në jetë. I nderuar Mufti i Muftinisë së BFI – Tetovë! Duke vlerësuar punën dhe përkushtimin që keni treguar si hafiz, imam dhe drejtor i diasporës, e në veçanti edhe si u.d. Myfri i Tetovës në ngritjen, zhvillimin dhe afirmimin e jetës fetare në Tetovë, si dhe profesionalizmin tuaj në udhëheqjen e institucioneve të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, jam i bindur se kjo është një zgjedhje e qëlluar, e cila do të jetë e dobishme për fenë, kombin, besimtarët dhe shoqërinë në përgjithêsinë. Andaj, më lejoni t’ju uroj detyrën e re dhe t’ju dëshiroj shëndet e suksese në jetë.”
Nga ana tjetër, Muftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, falënderoi Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetain, anëtarët e Rijasetit dhe të gjithë bashkëpunëtorët për përkrahjen dhe mbështetjen e pakushtëzuar gjatë kohës sa ka ushtruar detyrën e Muftiut të Muftinisë së Tetovës. Ai u shpreh:
“Me ndihmën e Zotit, zotohem se do të jem i përkushtuar në përmbushjen e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive me të cilat më ngarkon funksioni i Muftiut.
Urime dhe dhe Allahu ju bekoftë!
Zyra për informim pranë Rijasetit të BFI e RMV – së!